Izraeli ndalon udhëtimin e predikuesit të xhamisë Al-Aksa

Në një njoftim, zyra e predikuesit tha se atij iu dorëzua një urdhër nga Shërbimi Informativ i Izraelit për ndalimin e udhëtimit për një periudhë 4-mujore

Autoritetet izraelite ndaluan sot nga udhëtimi për katër muaj predikuesin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, Sheikh Ekrima Sabri, bëri të ditur zyra e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim, zyra e predikuesit tha se atij iu dorëzua një urdhër nga Shërbimi Informativ i Izraelit për ndalimin e udhëtimit për një periudhë 4-mujore.

Urdhri përmendi një “kërcënim real për sigurinë e shtetit” për ndalimin e udhëtimit.

Sabri, nga ana e tij, e quajti ndalimin izraelit si “të padrejtë”.

“Ky vendim i padrejtë nuk do të ndryshojë pozicionin tim ose nuk do të më pengojë të kryej detyrën time fetare ndaj popullit dhe kombit tim”, tha Sabri, 83 vjeç, në Twitter.

“Do të vazhdoj të mbroj Xhaminë e bekuar Al-Aksa sa të jem gjallë”, shtoi ai.

Avokati i tij mbrojtës Hamzeh Qutteineh tha se ndalimi i udhëtimit “është pjesë e masave represive izraelite kundër predikuesit për të kufizuar rolin e tij fetar si predikues i Xhamisë Al-Aksa”, tha ai në një deklaratë.

Në vitet e kaluara, Sabri u arrestua disa herë dhe u ndalua nga Xhamia Al-Aksa për muaj të tërë.

Sabri është një nga figurat kryesore palestineze në mbrojtjen e Xhamisë Al-Aksa kundër kufizimeve izraelite dhe përpjekjeve për të kufizuar praninë palestineze në vendin e shenjtë. Ai ka shërbyer më parë si Myfti i Madh i Kudsit dhe Palestinës.

Ndalimi i udhëtimit vjen mes tensioneve në rritje në territoret palestineze që nga muaji i kaluar si rezultat i fushatave të përsëritura të arrestimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe bastisjeve të kolonëve në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor. /aa