Ushtria izraelite të enjten kreu sulme ajrore dhe bombardoi me artileri disa zona në jug të Libanit, ndërsa dronë izraelitë fluturuan mbi Bejrut dhe qytetin jugor të Tirit, raportoi media shtetërore libaneze, transmeton Anadolu.
Avionët luftarakë izraelitë shkatërruan një ndërtesë në qytezën Haris, në rrethin Bint Jbeil, dhe goditën Kfar Tebnitin, në rrethin Nabatieh, raportoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit.
Sipas agjencisë, artileria izraelite bombardoi periferinë e Hadathas, pasi në orët e para të mëngjesit kishte shënjestruar Wadi al-Hujairin dhe zonën përreth Qabrikhas nga drejtimi i Wadi al-Salouqit. Artileria izraelite bombardoi gjithashtu disa herë gjatë natës rrafshinën e Marjayounit.
Në rrethin e Marjayounit, gjatë natës u dëgjuan tri shpërthime në qytezën Adaisseh al-Qusayr, ndërsa forcat izraelite zhvilluan një operacion të gjerë kontrolli në Khiam, raportoi agjencia.
Agjencia njoftoi gjithashtu se një dron izraelit fluturoi në lartësi të ulët mbi Bejrut, ndërsa një tjetër fluturoi mbi Tir dhe zonat përreth.
Sipas autoriteteve libaneze, sulmet izraelite në Liban kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 4.300 personave, kanë plagosur 12.400 të tjerë dhe kanë zhvendosur mbi një milion njerëz që nga 2 marsi.
Izraeli ka pushtuar disa pjesë të jugut të Libanit prej dekadash, ndërsa zona të tjera i ka pushtuar që nga konflikti i viteve 2023–2024. Gjatë ofensivës aktuale, forcat izraelite kanë përparuar më shumë se 10 kilometra brenda territorit libanez.
Sulmet kanë vazhduar pavarësisht marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA-ja, të cilën Libani dhe Izraeli e nënshkruan më 26 qershor. Marrëveshja parashikon tërheqjen graduale të forcave izraelite nga territori libanez, dislokimin e ushtrisë libaneze dhe çarmatimin e Hezbollahut.



