Izraeli vendos sanksione ndaj palestinezëve shkaku i miratimit të një rezolute të OKB-së

Izraeli njoftoi një pako prej pesë sanksionesh kundër Autoritetit Palestinez në përgjigje të përpjekjeve diplomatike për miratimin e një rezolute të OKB-së, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të zyrës së kryeministrit Benjamin Netanyahu pas një takimi të kabinetit, thuhet se masat ishin një “përgjigje ndaj vendimit të Autoritetit Palestinez për të zhvilluar luftë politike dhe ligjore kundër shtetit të Izraelit”.

Ai tha se vendimi i parë ishte devijimi i 39 milionë dollarëve nga taksat e mbledhura nga Tel Avivi në emër të Autoritetit Palestinez për izraelitët e dëmtuar nga sulmet palestineze.

Vendimi i dytë ishte zbritja nga të ardhurat e taksave palestineze të njëjtën sasi fondesh që Autoriteti Palestinez u paguan familjeve të të burgosurve palestinezë dhe atyre të vrarë në konflikt.

Një hap tjetër ndëshkues ishte ndalimi i aktiviteteve ndërtimore palestineze në Zonën C, që përbën pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar nën kontrollin administrativ dhe të sigurisë të Izraelit, derisa të arrihet një marrëveshje për statusin përfundimtar me palestinezët.

Në deklaratë thuhet se sanksioni i katërt ishte revokimi i kartave VIP të zyrtarëve palestinezë që Izraeli i akuzon për rolin e tyre udhëheqës në përpjekjet palestineze në OKB. Këto dokumente përdoren nga zyrtarët palestinezë për të kaluar lehtësisht brenda dhe jashtë Bregut Perëndimor të pushtuar pa u ngacmuar apo kontrolluar nga forcat izraelite në pikat e kontrollit.

Sipas deklaratës, vendimi i pestë ishte marrja e masave kundër institucioneve palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar që akuzohen se punojnë kundër Izraelit.

Javën e kaluar, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që i kërkon Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vendosë mbi konfliktin izraelito-palestinez, mbi “aneksimin” izraelit dhe “statusin ligjor të okupimit”.

Rezoluta, e cila titullohet “Praktikat izraelite dhe aktivitetet e vendbanimeve që prekin të drejtat e popullit palestinez dhe arabëve të tjerë të territoreve të pushtuara”, u prezantua nga Autoriteti Palestinez dhe u miratua me 87 vota pro, 26 kundër dhe 53 abstenime.

Rezoluta i bën thirrje gjykatës më të lartë të OKB-së që “të japë urgjentisht një opinion këshillues” mbi “pushtimin e zgjatur, vendbanimet dhe aneksimin e territorit palestinez nga Izraeli”.