Izraelitët, të cilët kanë uzurpuar tokat palestineze, sulmuan një fermë delesh në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe vodhën 150 dele, raporton Anadolu.
Sipas burimeve lokale, izraelitët sulmuan në orët e para të mëngjesit qytezën Deir Dibwan, në lindje të Ramallahut. Sulmuesit izraelitë bastisën fermën e deleve, rrahën dy punëtorë dhe më pas vodhën 150 dele para se të iknin.
Qyteza edhe më parë është shënjestruar nga kolonët shumë herë. Sulmet përfshijnë vjedhje delesh, zjarrvënie ndaj automjeteve, bizneseve si dhe sulme ndaj palestinezëve.
– Rriten sulmet e izraelitëve që uzurpojnë territoret palestineze
Sipas shifrave të publikuara nga Kombet e Bashkuara (OKB), sulmet e izraelitëve ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar kanë arritur nivelin e tyre më të lartë në 20 vitet e fundit, periudhë kjo kur kanë filluar të mbahen të dhënat.
Që kur Izraeli nisi ofensivën e tij në Rripin e Gazës në tetor 2023, ka pasur rritje të arrestimeve, bastisjeve dhe sulmeve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor.
Rreth 451 mijë izraelitë banojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe rreth 230 mijë në Kudsin Lindor, duke pushtuar në mënyrë të paligjshme tokën palestineze. Sipas ligjit ndërkombëtar, këto uzurpime konsiderohen të paligjshme.
Prania e izraelitëve në këto zona e përkeqëson më tej gjendjen e palestinezëve që jetojnë nën pushtim në Bregun Perëndimor.



