Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Jep dorëheqje ministri i Britanisë së Madhe

Jep dorëheqje ministri i Britanisë së Madhe

Pas dorëheqjes së Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe në korrik, dje ka dhënë dorëheqje edhe Ministri për Londrën, Jo Johnson. Arsyeja e dorëheqjes është plani i kryeministres May për ta braktisur Bashkimin Evropian.

Ai kishte deklaruar se do të votojë kundër planit të kryeministres për tërheqje nga Bashkimi Evropian sepse, sipas tij, ky plan paraqiste një gabim të tmerrshëm. Dorëheqja e tij vlerësohet si një goditje e rëndë për qeverinë, në një moment kur May po përpiqet ta fitojnë mbështetjen e kabinetit të saj për marrëveshjen e cila do të votohet më vonë në kuvend. Sidoqoftë, mundësia që ky plan të kalojë u zvogëlua edhe më shumë kur partia që ka 10 deputetë në kuvend, Partia Demokratike e Unionistëve, u deklarua kundër planit të kryeministres.

Pas rreth 18 muajve të negociatave dhe e gjendur nën presion kohor për shkak të marsit si afat i fundit për marrëveshje, raportohet se May po synon ta arrijë një marrëveshje e cila do ta mbante të lidhur Britaninë e Madhe me rregullat e Bashkimin Evropian, të paktën për një periudhë kalimtare. Kjo çështje po bëhet më e ndërlikuar sesa mendohej dhe kritikët thonë se zgjidhja e saj mund të zgjasë disa vjet.

Kryeministrja May shpreson se deputetët do ta votojnë propozimin e saj për marrëveshje, me qëllim të shmangies së një ndarjeje pa marrëveshje, e cila do të sillte pasoja edhe më të mëdha për vendin. Ministri i dorëhequr kishte thënë se zgjidhnja më e mirë për të dalë nga kjo situatë është mbajtja e një referendumi të ri. Sidoqoftë, May e refuzoi një mundësi të tillë. Mendohet se refuzimi i qeverisë për ta mbajtur një referendum tjetër është frika se shumica e votuesve do të votojnë për qëndrim të Britanisë së Madhe në BE, me ç’rast vendi sërish do të ndahej në dy pjesë