Jeta e fshehtë e flamingove

Kur ishte fëmijë, fotografi Claudio Contreras Koob vizitonte çdo verë me babain e tij, gadishullin e Jukatanit në Meksikë. Ai shihte flamingot në ligatina dhe dekada më vonë, ndan pasionin e tij për këtë “specie ikonike” në një libër fotografik.

Flamingot janë zogj socialë që jetojnë në koloni. Koob kaloi 10 vite të përmbledhura në 120 foto, teksa përpiqej të fitonte besimin e zogjve.

Ngjyra e ndezur rozë e flamingove vjen për shkak se ata hanë alga dhe karkalecë që përmbajnë karotenoide,një pigment i kuq në portokalli. Fortësia e ngjyrës së një flamingoje tregon gjendjen e tij shëndetësore dhe është një faktor tërheqës për një partner.

Flamingot migrojnë çdo vit, fluturojnë kryesisht gjatë natës dhe ndonjëherë për largësi shumë të mëdha. Sipas Programit të Ruajtjes së Flamingove në Meksikë, ata zhvendosen kryesisht në SHBA, Kubë dhe Bahamas.

Foletë e tyre prej balte kanë trajtën e një vullkani dhe mbajnë një vezë të vetme të madhe. Ria Lagartos, një vend ku ata riprodhohen, vitin e shkuar kishte mbi 15.000 fole.

Vezët ngrohen një muaj derisa çelin. Prindërit i njohin të vegjlit e tyre për shkak të klithjes së veçantë dhe nuk i ushqejnë zogjtë e tjerë.

Të porsalindurit janë shumë kuriozë, ndaj të rriturit i mbajnë në mes të këmbëve për mos t’i lejuar të largohen nga foleja.

Si femra, edhe mashkulli e ushqejnë të voglin me “qumësht bimor”, i cili formohet në aparatin e tyre të sipërm tretës. Përmbajtja proteinike dhe yndyrore e qumështit ngjason me atë të gjitarëve  dhe ka një ngjyrim të kuq që e ndihmon të voglin t’i dalin pendët e para rozë kur të rritet.

Kur janë 5-12 ditësh, të vegjlit braktisin folenë dhe kanë ngjyrë gri, por varen ende nga prindërit për ushqim. Rreth 3 muajve, sqepi nis të harkohet dhe mund të vetushqehen, ndërsa pendët gri nisin të bien dhe dalin të tjera, të përshtatshme për fluturim.

Flamingot rriten plotësisht për 2-3 vjet, ndërsa te flamingot e rinj mbeten disa pupla gri në mes të ‘kostumit’ rozë./