Joe Biden para bisedimeve të rëndësishme për Ukrainën

Presidenti Joe Biden, do të mirëpres kryeministren e Danimarkës dhe kryeministrin e Britanisë këtë javë në Washington për bisedime me fokus në atë se çfarë pritet të ndodhë në Ukrainë – duke përfshirë përpjekjet e nisura së fundmi për të trajnuar dhe përfundimisht pajisur Ukrainën me avionë luftarakë F-16 të prodhimit amerikan.

Britania dhe Danimarka po luajnë një rol kyç në planin e përbashkët ndërkombëtar, që Bideni miratoi kohët e fundit pas disa muajsh rezistence ndaj thirrjeve të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, për avionët amerikanë.

Takimet e veçanta të Bidenit me liderët e dy aleatëve kryesorë të NATO-s – me Mette Frederiksenin e Danimarkës të hënën dhe Rishi Sunakun e Mbretërisë së Bashkuar të enjten – vijnë në një periudhë vendimtare në luftën 15-mujore, ndërsa Ukraina është gati të nisë një kundërofensivë.

Është gjithashtu një moment kur SHBA-ja dhe Evropa po kërkojnë t’i demonstrojnë Moskës se aleanca perëndimore mbetet e fortë dhe e përqendruar në çimentimin e një angazhimi afatgjatë ndaj Ukrainës pa fund të konfliktit.

Danimarka ka blerë dhjetëra avionë F-16 të prodhimit amerikan që nga vitet 1970 dhe ka treguar se është e hapur ndaj mundësisë për t’ia siguruar Ukrainës disa. Britania ka mbrojtur fuqimisht një koalicion për të furnizuar Ukrainën me avionë luftarakë dhe zyrtarë të saj thonë se do të mbështesin Ukrainën që të marrë F-16-t që dëshiron. Por Britania e Madhe nuk ka asnjë F-16 dhe ka përjashtuar dërgimin e avionëve të Forcave Ajrore Mbretërore “Typhoon”.

Në vend të kësaj, Britania thotë se do t’u japë pilotëve ukrainas trajnime bazë për avionë të standardeve perëndimore duke filluar nga fillimi i verës për t’i përgatitur ata për të drejtuar avionët F-16.

Pilotët ukrainas do të shkojnë më pas në vende të tjera për fazat e ardhshme të trajnimit.

Marrëveshja për F-16 është mes disa prej përpjekjeve të fundit të profilit të lartë nga SHBA-ja dhe Evropa e fokusuar në forcimin e vendosmërisë perëndimore, ndërsa lufta po vazhdon. Zyrtarët e Moskës pohuan se forcat ukrainase po bënin një përpjekje të madhe për të goditur linjat mbrojtëse ruse në Ukrainën juglindore për të dytën ditë, të hënën. Autoritetet e Kievit nuk i konfirmuan sulmet dhe sugjeruan se pretendimi ishte një mashtrim rus.

Javën e kaluar, Frederiksen dhe Sunak ishin midis 45 liderëve evropianë që udhëtuan në Moldavi për Samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian, ku nënvizuan mbështetjen për ambiciet e Evropës Lindore për t’u afruar më shumë me Perëndimin dhe për të mbajtur Moskën larg.

Bideni pritet gjithashtu të diskutojë me Frederiksenin dhe Sunakun mbi përgatitjet për samitin e NATO-s të muajit të ardhshëm në Lituani, që vjen në mes të presionit në rritje ndaj aleancës nga Zelenskyy për t’i ofruar Ukrainës garanci konkrete sigurie dhe një rrugë të përcaktuar që Kievi të fitojë përfundimisht anëtarësimin.

Aleanca prej 31 anëtarësh po bën gjithashtu përpjekje për ngritjen e statusit jo-anëtar të Ukrainës në NATO dhe përgatitjen e një kuadri për angazhimet e sigurisë që ajo mund të ofrojë, pasi të përfundojë lufta me Rusinë.

Bideni pritet gjithashtu t’ia hedhë një sy me Frederiksenin dhe Sunakun përpjekjes së tij për të bindur Turqinë, anëtare e NATO-s, që të tërhiqet nga bllokimi i Suedisë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake.

Suedia dhe Finlanda, të dyja të palidhura historikisht ushtarakisht, kërkuan së bashku anëtarësimin në NATO pasi u tronditën nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Turqia fillimisht i bllokoi të dyja vendet që të bashkoheshin me aleancën përpara se të binte dakord për anëtarësimin e Finlandës, ndërsa vazhdoi të kundërshtojë Suedinë.

Bideni tha se shtroi kërkesën për anëtarësim e Suedisë në NATO dhe dëshirën e Turqisë për të blerë 40 avionë F-16 të rinj nga SHBA-ja – një veprim që disa në Kongres e kundërshtojnë, derisa Turqia të miratojë anëtarësimin në NATO për Suedinë – gjatë një bisede telefonike javën e kaluar me presidentin turk, Erdogan.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, shprehën shpresën se Suedia do të futet në grupin e NATO-s deri në kohën kur liderët aleatë të takohen në Lituani më 11-12 korrik. Stoltenbergu u takua me Erdoganin të dielën në Stamboll për bisedime, por nuk u arrit asnjë përparim. /koha