Ju ftoj në Islam!

Djegia e Kur’anit në disa vende të Evropës, është injorancë primitive dhe terrorizëm racial i dënueshëm, që e kthen kontinentin në errësirat e mesjetës së tij. Gjynah për këtë realitet të shëmtuar!
Akte të dënueshme dhe frymëzim për të ndërtuar më shumë medrese, qendra të hivzit dhe nxitje për t’u kapur përherë e më shumë pas Librit të Shenjtë!
“I kam hyrë studimit te Kur’anit pa ndonjë mendim paraprak dhe me objektivizëm, në kërkim të shkallës së përputhshmërisë së tekstit kur’anor me të dhënat e shkencës moderne. Arrita në konkluzionin se nuk ka asnjë thënie të kritikueshme nga pikëpamja shkencore bashkëkohore…”, shkruante Maurice Bucaille.
Ndërsa misionari indian Beshir Ahmed Shad, reflekton: “Pyetja që më ka stresuar përherë është se ne, të krishterët, pretendojmë se Islami është përhapur me tehun e shpatës. Dhe e pyeta veten se, përse atëherë njerëzit e pranojnë Islamin dhe vazhdojnë ta përqafojnë atë, në çdo cep të botës? Përse njerëz nga mbarë bota udhëzohen drejt kësaj feje çdo ditë dhe pa asnjë kërcënim, dhunë a të ngjashme?”
E, ndërmjet islamofobisë së verbër në mesin e të paditurve në perëndim, dritësimit të intelektualëve dhe kthjellimit të misionarëve në raport me Kur’anin dhe Islamin, unë me zemër dhe me shumë sinqeritet ju ftoj në Islam!
Ju garantoj se do fitoni vetveten; në këtë dhe në të përtejmen!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, 31 korrik 2023