Juncker: BE-ja do t’i përgjigjet të gjitha rritjeve të tarifave amerikane

ATSH-DPA/ – Bashkimi Europian do t’i përgjigjet të gjitha vendimeve të SHBA-së për të rritur tarifat mbi automjetet, deklaroi për televizionin gjerman ZDF, presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker.

Juncker dhe presidenti Donald Trump u takuan në Uashington në korrik për të biseduar në lidhje me tarifat doganore që po vendos administrata amerikane.

“Ne, Trump dhe unë, ramë dakord për një armëpushim në lidhje me tarifat e reja për makinat. Sikurse ndodh me armëpushimet, ndonjëherë ato janë në rrezik, por ato qëndrojnë”, tha ai.

“Megjithatë, nëse Trump do të rrisë tarifat mbi automjetet atëherë BE-ja do të bëjë të njëjtën gjë”, tha Juncker.

Dy palët po takohen për të punuar që të vendosin bazat për një marrëveshje të ardhshme.

Këto bisedime vijojnë ato të takimit mes Juncker dhe Trump në korrik.