Ka arritur në 14 numri i të prekurve nga sëmundja “Kolla e keqe”

Ka arritur në 14 numri i të prekurve nga sëmundja infektive Pertussis, e njohur në popull si kolli i keq. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) njoftoi të premten për konfirmimin e rasteve të reja, derisa bëri apel që prindërit t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.

Sëmundja infektive Pertussis prek kryesisht fëmijët, ku simptoma kryesore është kolli, i cili me kalimin e ditëve shkon duke rritur intensitetin.

Infektologu, Hamdi Ramadani në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se kjo sëmundje infektive ka shënuar rritje në nivel botëror.

“Sëmundja e vjetër infektive e respiratore, që në mjekësi njihet si Pertussis, ose në gjuhën popullore si kolli i keq ose kolli i bardhë. Kjo sëmundje është shumë e hershme, por me avancimin e mjekësisë është bërë e dukshme, dhe tash e disa vite ekziston vaksinimi kundër kësaj sëmundje të keqe. Kryesisht është te mosha fëmijërore deri në katër vjeç, por në raste të rralla kjo sëmundje mund të prek edhe më të rriturit”, bëri të ditur ai.

Ramadani tha se sëmundja është akute respiratore dhe është shumë ngjitëse, ku shkaktari është bakteria Bordetella Pertussis që qëndron në gojë, hundë dhe fyt.

“Dhe ajo bakterie qëndron në gojë, hundë, dhe fyt, pra te ata të sëmurët që e kanë kollin e keq, ajo shumëzohet pra i shkakton disa materie toksike”, bëri të ditur Ramadani.

Infektologu tregoi se koha e inkubacionit është 7 deri në 14 ditë, nga momenti i kontaktit me personin e infektuar.

Gjithashtu, ai pohoi se infektimi me këtë sëmundje ka tri faza.

“Në fazën e parë është si gripoze, paraqitet kolli dhe më vonë paraqitet temperaturë. Me kalimin e fazës së parë, vjen faza e dytë që është më e rrezikshme, sepse këtu kolla rritet sidomos natën, dhe kollitja mund të zgjatë disa minuta. Mund të paraqet problem me frymëmarrje… kjo kollitje manifestohet edhe me simptoma tjera. Ky koll zgjatë disa herë sa që edhe fëmijët marrin pamje tjetër, duken më të zbehtë, sepse mungon qarkullimi i gjakut, nga presioni i kolli”, theksoi ai.

Ramadani pohoi se në fazën e dytë kur kolli është më intenziv, duhet të intervenohet me terapi ku përfshihet antibiotiku dhe oksigjeno-terapi.

Ai tregoi se faza e dytë mund të zgjatë disa javë, dhe se kjo varet nga gjendja që ndodhet një fëmijë.

Faza e tretë sipas infektologut Ramadani është ajo e regresionit.

Për Telegrafin, Ramadani sqaroi se “trajtimi është spitalor dhe kërkon një ekip mjekësor, trajtimi bëhet në mënyrë suportive. Komplikimet janë respiratore që mund të çojnë në bronhit”

Po ashtu ai tha se nga kolla e keqe mund të preket edhe sistemi kardiovaskular.

Si përfundim, infektologu Ramadani tha se masa më e mirë mbrojtëse është vaksinimi i fëmijëve, ku vaksinat jepen qysh në moshën e hershme, dymuajshe.

Ndërsa, drejtori i Klinikës Infektive në Prishtinë, Arben Vishaj ka thënë për Telegrafin se në klinikë kanë dy pacientë të prekur me Pertussis, dhe se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se ka regjistruar 14 raste të konfirmuara me laborator të Pertussisit, kryesisht te moshat e reja, që paraqet një rritje të lehtë krahasuar me vitet paraprake.

IKSHPK rithekson se çdo dozë e vaksinës ka rëndësi, sepse e rrit imunitetin dhe i mbron fëmijët nga infeksioni dhe komplikimet e mundshme, prandaj u bën thirrje prindërve që t’i përmbahen me shumë kujdes Kalendarit të rregullt të vaksinimit dhe t’i vaksinojnë fëmijët, sipas orareve të përcaktuara në kalendar.