Ministria e Punëve të Jashtme e Kanadasë ka bërë të ditur se vendi ka hequr Sirinë nga lista e saj e shteteve sponsorizuese të terrorizmit, transmeton Anadolu.
“Pas një rishikimi të gjerë, Qeveria e Kanadasë ka hequr Sirinë nga Lista e Kanadasë e Shteteve të Huaja Mbështetëse të Terrorizmit sipas Aktit të Imunitetit Shtetëror, si dhe ka hequr Hay’at Tahrir al-Shamin (HTS) nga Lista e Entiteteve Terroriste sipas Kodit Penal Kanadez”, tha ministria kanadaze.
Ministria tha se masat përputhen me vendimet e fundit nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja, si dhe ndjekin përpjekjet e qeverisë tranzitore siriane për të çuar përpara stabilitetin, për të ndërtuar një të ardhme gjithëpërfshirëse dhe për të punuar me partnerët global për të luftuar terrorizmin.
Grupi HTS ishte një nga grupet e armatosura më të fuqishme që kundërshtonin forcat e Bashar al-Assadit gjatë luftës civile në Siri, ndërsa Ahmad al-Sharaa, presidenti i Sirisë pas rrëzimit të Assadit, shërbeu si kreu i grupit.
Ministrja kanadeze e Punëve të Jashtme, Anita Anand, tha se vendi përshëndet “hapat pozitivë” të ndërmarrë nga qeveria siriane drejt një “tranzicioni politik paqësor të udhëhequr nga Siria” që nga fundi i regjimit të Assadit një vit më parë.
“Kanadaja qëndron e palëkundur me popullin e Sirisë në kërkimin e tyre për një të ardhme gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe të begatë”, shtoi ajo.






