Kaos në Kuvendin e Shqipërisë

Deputetët e opozitës janë përplasur me Gardën që në hyrje të Kuvendit, ndërsa tensionet janë rritur me nisjen e seancës plenare në orën 10:00.

Garda kërkoi kontroll fizik të demokratëve, ndërsa deputetët nuk pranuan me argumentin se është në shkelje të rregullores së Kuvendit.

Ndërsa dhjetëra gardistë kanë rrethuar sallën, deputetët e opozitës kanë grumbulluar sërish karriget, duke kundërshtuar praninë e tyre.

Disa prej deputetëve të opozitës janë përplasur me gardistët, ndërsa Flamur Noka ka ndezur një flakadan ngjyrë portokalli.

Pas këtij veprimi, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e ka përjashtuar nga seanca plenare. Noka nuk është larguar, por u ka vënë flakën letrave, ndërsa tentoi t’u vinte zjarrin edhe karrigeve të grumbulluara në foltore.

Ky veprim i rëndë është parandaluar nga gardistët të cilët e fikën zjarrin.

Mes kaosit dhe përplasjes së tavolinave nga deputetët e opozitës, seanca plenare u mbyll me urdhër të Nikollës deri në një lajmërim të dytë.

Kujtojmë se ky është i njëjti skenar i përsëritur në seancat e fundit plenare në Kuvend.