Kartela kosovare e vaksinimit nuk njihet në BE, kërkohet testi PCR

Qytetarët po ankohen se certifikata e vaksinimit që po lëshohen nga Institucionet e Shëndetësisë kosovare, nuk po njihen nga vendet e Bashkimit Evropian.

Atyre po u kërkohet një test negative PCR në mënyrë që të mund të të qasen në vendet publike jashtë vendit.

Ambasada italiane  ka konfirmuar se qytetarëve nga Kosova që udhëtojnë drejt Italisë iu duhet një test PCR, pasi që “kartela e vaksinimit nuk është Digital Green Certificate”.

Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje elektronike për portalin rtv21.tv ka thënë se këto kartela janë bërë në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian dhe se nuk kanë pranuar ankesa për një problem të tillë.

“Në platformën Basic HIS, brenda modulit COVID -19, për secilin qytetar që vaksinohet në Kosovë shtypet një kartelë e formatit A6, e cila përmban të gjitha të dhënat e vaksinimit dhe një kod QR që shërben për verifikimin e këtyre të dhënave. Pas skanimit të QR Code ridrejton në e-Kosova (Platforma jonë Qeveritare) që lidhet me Basic HIS dhe verifikon nëse të dhënat janë të vlefshme dhe personi është vaksinuar apo jo. Pas verifikimit, në platformën e-Kosova shfaqen detajet e vaksinimit me vaksinën COVID 19 (të dhënat shfaqen në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe). Kartela digjitale e vaksinimit (Pasaporta elektronike e vaksinimit e Kosoves) dhe procesi i verifikimit te saj jane ne perputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian per Digital Green Certificate”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
Tutje Ministria e Shëndetësisë ka thënë se duke qenë se kjo kartela është punuar sipas rekomandimeve të KE, MSh ka kërkuar nga zyrtarët e KE, që edhe Kosova të jetë pjesë e lëvizjes se lirë sa i përket Green Certificate.

Mirëpo, MSh nuk ka përjashtuar mundësinë se secili “shtet ka politikat e veta në raport me COVID-19 dhe kartelat e vaksinimit” duke thënë se deri më tani nuk kanë pranuar ankesa nga qytetarët që ndonjë shtet u ka bërë pengesë në lëvizje për shkak të saj.

Sipas Ministrisë së Shëndetsisë ka edhe shtetas të huaj që kërkojnë të pajisen me kartelë të vaksinimit të Kosovës.

“Per me teper, ka shtetas te huaj qe veprojne ne Kosove, qe kane kerkuar qe te dhenat ne kartelat e tyre te vaksinimit, te barten dhe ta fitojne kartelen e vaksinimit te Kosoves, pikerisht per shkak te standardeve te larta qe i ka”, ka thënë MSh.