Katari dënoi sulmet iraniane, duke i quajtur “shkelje flagrante” të sovranitetit shtetëror dhe “shkelje të hapur” të së drejtës ndërkombëtare, transmeton Anadolu.
Tre persona, përfshirë një fëmijë, u plagosën herët të dielën në Katar, pasi sistemet e mbrojtjes ajrore interceptuan sulme të ardhura nga Irani.
“Vazhdimi i këtyre sulmeve përbën një përshkallëzim të rrezikshëm që do të vështirësojë përpjekjet për të frenuar tensionet dhe do të dëmtojë përpjekjet politike dhe diplomatike që synojnë arritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, tha Ministria e Jashtme e Katarit në një deklaratë.
Ministria e bëri Teheranin “plotësisht përgjegjës ligjërisht për këto sulme dhe pasojat e tyre”, duke shtuar se Doha ruan “të drejtën e plotë për t’u përgjigjur” dhe për të marrë të gjitha masat e nevojshme “për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë, integritetin territorial dhe qytetarët e saj”.
Ajo bëri thirrje për përfundimin e menjëhershëm të “të gjitha veprimeve ushtarake dhe sulmeve që kërcënojnë sigurinë e rajonit”, për shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm dhe rikthimin te dialogu dhe negociatat.
Herët të dielën, Teherani tha se ka kryer sulme ndaj objekteve ushtarake amerikane në vendet e rajonit, përfshirë Katarin, si hakmarrje ndaj sulmeve të Washingtonit kundër objektivave iraniane.
Kjo ndodhi pasi Komanda Qendrore e Ushtrisë së SHBA-së (CENTCOM) tha se kishte goditur rreth 140 objektiva në Iran, pas një tjetër sulmi iranian ndaj një anijeje tregtare në Ngushticën e Hormuzit.







