Katari tregon shkaqet e ekstremizmit

Ministri i Jashtëm i Katarit tha të enjten se ekstremizmi në Lindjen e Mesme është rezultat i autoritarizmit, njoftoi Agjencia e lajmeve të Katarit. Mohamed Bin Abdulrahman Al-Thani shprehu trishtimin e tij se rajoni është bërë një rajon i paqëndrueshmërisë, në vend se të jetë vend i paqes dhe bashkëjetesës.

“Njerëzit vuajnë nga sundimtarët që kërkojnë autoritet, ushtrojnë qeverisje të keqe dhe zhvendosin qytetarët e tyre pa u interesuar për të drejtat e tyre dhe dinjitetin e tyre njerëzor”, tha ministri për një konferencë anti-terror në Londër të sponsorizuar nga qeveria e tij.

“Këta njerëz bien pre e grupeve ekstremiste.” Fëmijët në rajon, shtoi ai, kanë përjetuar mizoritë e ISIS-it në Siri, Irak dhe në Jemen. “Ata janë të privuar nga shpresa dhe një të ardhme më të mirë.”

Për të penguar terrorin, Al-Thani bëri thirrje për stabilitet në rajon. “Kjo është një nga rrugët kryesore për të fituar luftën kundër terrorizmit dhe për të penguar dhunën”, këmbënguli ai. “Ne kemi nevojë për një angazhim politik për t’i dhënë fund luftimeve në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut”.

Sipas Guardian, Ministri i Jashtëm i Katarit akuzoi gjithashtu udhëheqjen saudite për thyerjen e rajonit. ” Ky model po shfaqet duke krijuar një krizë të re për të mbuluar krizat e mëparshme”.

Arabia Saudite, tha ai, ka krijuar një katastrofë humanitare në Jemen, i ka ndarë shtetet e Gjirit duke sulmuar Katarin pa një strategji dalëse dhe u përpoq të bëjë presion mbi Kryeministrin libanez të japë dorëheqjen duke lënë një vakum politik.

“Cila politikë e tyre deri tani ka prodhuar një rezultat pozitiv? Gjithçka ka qenë kundërproduktive ndaj stabilitetit në rajon “.