A e ke ndier ndonjëherë padrejtësinë? Sigurisht që po. Të gjithë e kemi ndier.
Por a e ke ndier ndonjëherë kur ti ia bën atë dikujt tjetër?
Në marrëdhëniet tona njerëzore mund të dallojmë katër forma të sjelljes: padrejtësinë, barazinë, drejtësinë dhe ihsanin.
1. Padrejtësia – niveli nga i cili duhet të largohemi
Njeriu është jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj padrejtësisë kur ajo i bëhet atij. Nuk pranon t’i merret e drejta, të nënvlerësohet apo të dëmtohet.
Por paradoksi është se shpesh nuk është po aq i kujdesshëm kur ua bën të njëjtën gjë të tjerëve.
Mund të jemi shumë të ndjeshëm ndaj padrejtësisë që na bëhet, por shumë tolerantë ndaj padrejtësisë që ne u bëjmë të tjerëve.
Prandaj Islami e ka vendosur padrejtësinë si një kufi të qartë, të cilin besimtari nuk guxon ta kalojë.
Në hadithin kudsi, Allahu i Madhëruar thotë:
“O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes padrejtësinë dhe e kam bërë atë të ndaluar edhe ndërmjet jush, prandaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit.”
Transmeton Muslimi.
Për shembull: në punë, kur shefi na trajton padrejtësisht, e ndiejmë thellë dhe e kundërshtojmë. Por kur ne neglizhojmë detyrat tona, i bëjmë padrejtësi një kolegu ose flasim për dikë pa të drejtë, mund ta gjejmë lehtë një justifikim për veten.
Padrejtësia mbetet padrejtësi, pavarësisht se kush e bën dhe ndaj kujt bëhet.
2. Barazia – jo gjithmonë është drejtësi
Në pamje të parë, barazia duket gjithmonë si diçka e mirë: t’u japësh të gjithëve të njëjtën gjë dhe t’i trajtosh të gjithë njësoj.
Por barazia nuk është gjithmonë drejtësi.
Njerëzit nuk janë gjithmonë në të njëjtat rrethana. Ata kanë nevoja, përgjegjësi, mundësi dhe merita të ndryshme. Prandaj, t’u japësh të gjithëve të njëjtën gjë nuk do të thotë domosdoshmërisht se ke qenë i drejtë.
Barazia thotë: “Të gjithë njësoj.”
Drejtësia thotë: “Secilit atë që i takon.”
Për shembull, në një familje, fëmijët nuk kanë gjithmonë të njëjtat nevoja. Njëri mund të ketë nevojë për më shumë kujdes, tjetri për më shumë përgjegjësi, e një tjetër për më shumë hapësirë dhe besim.
Prandaj, trajtimi i barabartë nuk është gjithmonë trajtim i drejtë.
3. Drejtësia – t’i japësh secilit të drejtën e tij
Niveli i tretë është drejtësia – minimumi moral nën të cilin nuk duhet të zbresim.
Drejtësia do të thotë: të marrësh atë që të takon dhe t’u japësh të tjerëve atë që u takon.
Allahu i Madhëruar thotë:
“Vërtet, Allahu urdhëron drejtësinë dhe mirësinë …”
(En-Nahl 90)
Drejtësia është themeli mbi të cilin ndërtohen marrëdhëniet e shëndosha: në familje, në punë, në tregti, në shoqëri dhe në çdo raport njerëzor.
Në punë, drejtësi është t’i japësh punonjësit atë që i takon sipas marrëveshjes, përgjegjësisë dhe të drejtave të tij.
Në familje, drejtësi është të mos favorizosh një fëmijë pa arsye dhe të mos ia mohosh tjetrit të drejtën.
4. Ihsani (Mirësia)– niveli më i lartë
Dhe këtu arrijmë te niveli më i lartë: ihsani – mirësia përtej detyrimit.
Ihsani do të thotë të mos kufizohesh vetëm në atë që të takon. Do të thotë të marrësh më pak se sa të takon dhe të japësh më shumë se sa kërkohet prej teje.
Drejtësia thotë:
“Ky është haku im.”
Ihsani thotë:
“Edhe pse është haku im, unë mund të të fal.”
Drejtësia thotë:
“Kaq të takon ty.”
Ihsani thotë:
“Do të të jap edhe më shumë.”
Allahu nuk tha vetëm:
Vërtet, Allahu urdhëron drejtësinë …”
por tha:
Vërtet, Allahu urdhëron drejtësinë dhe mirësinë …”
Allahu na urdhëron drejtësinë dhe na nxit të ngrihemi mbi të, drejt ihsanit.
Për shembull:
Drejtësi: Një koleg ka gabuar dhe ti nuk i bën padrejtësi duke e dënuar përtej asaj që meriton.
Ihsan: Edhe pse ai ka gabuar, ti nuk e poshtëron; e këshillon, e ndihmon të korrigjohet dhe i jep mundësinë të përmirësohet.
Kjo është mirësia përtej minimumit të drejtësisë.
Mos zbrit nën drejtësi – sepse padrejtësia është e ndaluar.
Mos e ngatërro barazinë me drejtësinë – sepse t’u japësh të gjithëve të njëjtën gjë nuk do të thotë gjithmonë t’u japësh atë që u takon.
Syno drejtësinë – sepse ajo është baza morale e çdo marrëdhënieje të shëndoshë.
Por syno edhe më lart – te ihsani – sepse aty fillon morali i lartë.
Përfundim
Drejtësia e mbron shoqërinë nga padrejtësia.
Ihsani e mbush atë me mëshirë, dashuri dhe njerëzi.
Prandaj:
Mos zbrit nën drejtësi.
Mos u kënaq vetëm me drejtësinë.
Syno ihsanin.
Hoxhë Korab Hajraj








