Katër punëtorë shëndetësorë në Spitalin Amerikan janë të infektuar me Covid-19

????????????????????????????????????

Zyrtarisht në Kosovë janë të 362 persona të infektuar me virusin korona.

Në mesin e këtyre të infektuarve janë edhe katër infermierë nga Spitali Amerikan në Kosovë, njofton Klan Kosova

Këtë për klankosova.tv e ka bërë të ditur drejtori Ekzekutiv i Spitalit Amerikan, Igli Larashi.

Larashi tregoi se infermierët që janë vetizoluar janë raste kontakti me një pacient që ka shkuar për kontroll të premtën dhe është transferuar në QKUK e që nuk i mbijetoi virusit.

“Janë tre infermiere dhe një infermier i Urgjencës të infektuar si rast kontakti me një pacient i cili ka ardhur të premten e kaluar për kontroll e që as ai nuk e ka ditur se është i infektuar me Covid-19”.

“Që në momentin që kemi pasur dyshime i gjithë stafi që ka pasur kontakt me pacientin ose familjarët e tij u kemi rekomanduar që të izolohen për dy javë, pas pesë ditëve që janë izoluar u kemi rekomandu bërjen e testit dhe këta katër kanë rezultuar pozitiv edhe pse nuk kishin asnjë simptomë të virusit”, deklaroi Larashi.

Larashi theksoi se i gjithë spitali është dezinfektuar dhe në vazhdimësi janë në kontakt me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë, dhe se janë në pritje të dy rezultateve tjera.

“Shumica e stafit kanë rezultuar negativ, jemi në pritje edhe për 2 rezultate tjera. Edhe pse kanë dalë negativ unë prap kam dhënë urdhër që të gjithë të testohen sërish pas dy jave”.

Larashi poashtu tregoi se janë duke punuar me tri ekipe me rotacion dhe se ekipi i cili ka qenë në punë në ditën kur ka qenë pacienti janë izoluar në shtëpi.

Larashi në fundi bëri apel që qytetarët të mos dalin në rast se nuk kanë nevojë dhe se Spital Amerikan në rast nevoje dhe kërkese nga Qeveria ofron të gjitha pajisjet për të mbështetur QKUK-në.