Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kazakistani po zhytet në luftë civile

Kazakistani po zhytet në luftë civile

Dhjetëra protestues janë vrarë dhe 12 policë kanë humbur jetën po ashtu gjatë protestave të dhunshme në Kazakistan. Autoritetet në Kazakistan ka thënë se janë pushtuar ndërtesat qeveritare e u është vënë zjarri.

Një polic është gjetur me kokë të prerë, kanë njoftuar autoritetet kazake, raporton agjencia AP.

Pasi kanë hyrë në rezidencën presidenciale e po ashtu në zyrën e kryebashkiakut në qytetin e dytë më të madh në Kazakistan, Almaty, demonstruesit kanë vazhduar të marshojnë nëpër më tepër ndërtesa gjatë natës.

“Dhjetëra sulmues janë likuiduar”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Saltanat Azirbek, për kanalin televiziv “Khabar-24”.

Ajo ka përdorur termin që zakonisht përdoret për vrasjen e njerëzve që mendohet se janë ekstremistë.

12 policë janë vrarë në trazira dhe raportohet për 353 të lënduar.

Derisa presidenti i Kazakistanit fillimisht ishte munduar të qetësojë protestuesit, ai më vonë ka premtuar masa të ashpëra për të shtypur protestat, të cilat thotë se janë shkaktuar nga “banda terroriste” dhe i ka bërë thirrje Rusisë për ndihmë ushtarake. Aeroportet në Almaty dhe dy qytete tjera janë mbyllur dhe shërbimi i internetit përkohësisht është ndërprerë për ditën e dytë me radhë, duke bllokuar qasjen në faqet e lajmeve në Kazakistan.

Dhjetëra mijëra persona, disa duke mbajtur shkopinj e mburoja, kanë dalë në rrugë në ditët e fundit, pas rritjes së çmimeve të derivateve, në protestat më të rënda në Kazakistan që kur e ka fituar pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik tri dekada më parë.

Ndonëse protestat nisën pas dyfishimit të çmimit të derivateve, madhësia dhe rritja e shpejt e tyre reflektojnë për pakënaqësinë e madhe në një shtet që është qeverisur nga e njëjta parti që nga pavarësia.

Një aleancë ushtarake e drejtuar nga Rusia, CSTO, ka thënë të enjten se do të dërgojë trupa paqeruajtëse në Kazakistan me kërkesë të presidentit Kassym-Jomart Tokayev.

Operacioni është aksioni i parë ushtarak nga CSTO, një indikacion që fqinjtë e Kazakistanit, veçanërisht Rusia, janë të shqetësuara se trazirat mund të shpërndahen edhe nëpër shtete tjera.

Rusia dhe Kazakitani kanë një lidhje të ngushtë e po ashtu edhe një vijë kufitare 7600 kilometra.

Në pamje që kanë qarkulluar në rrjete sociale janë parë forcat e sigurisë në Kazakistan duke shtënë me armë në drejtim të protestuesve, ndërsa po ashtu kanë qarkulluar pamje të trupave ushtarake ruse duke hyrë në Kazakistan. /koha