KBI: Sabri Beqiri nuk ka treguar që është rast social në rastin e varrimit të nënës së tij

Këshilli i Bashkësisë Islame – KBI në Vushtrri , ka reaguar në lidhje me rastin e qytetarit Sabri Beqiri, i cili ka deklaruar se i janë refuzuar shërbimet e varrimit të nënë së tij. KBI në një njoftim për opinionin dhe qytetarët ka thënë se asnjë qytetar i Vushtrrisë nuk paguan për procedurat e varrimit dhe se pagesat për këtë shërbim janë marrë përsipër nga komuna që nga janari i vitit 2018. Megjithëse KBI në Vushtrri, sqaron se si çdokënd në botë edhe në Kosovë paguhet anëtarësia dhe shpenzimet e varrimit, ky institucion fetar thotë se rastet skamnore janë të liruara nga ky obligim. E për personin në fjalë Sabri Beqiri, BIK thotë se i njëjti nuk ka deklaruar se është rast skamnor dhe nuk ka kërkuar që të lirohet nga obligimet e shpenzimeve. “ Qytetari Sabri Beqiri, ka ardhur në Këshill dhe me vet dëshirë me para në xhep dhe ka deklaruar se dëshiron të paguajë anëtarësinë e pa paguar, duke deklaruar që “tani që është rasti edhe kam edhe ndihmën e vllaznillakut”. Nuk ka kërkuar të lirohet e as nuk ka paraqitur dëshmi që është rast social. Ndryshe KBI i liron nga pagesa e anëtarësisë të gjithë skamnorët. Duke dashur që të ruajmë ndjeshmërinë e rastit si skamnor e duke dashur të ruajmë privatësinë e një skamnori e të familjes së tij jemi përmbajtur nga deklarimi për medie por kemi zhvilluar procedurat për të verifikuar këtë rast. Zyrtari i Këshillit ku është paguar anëtarësia është në zyre dhe nuk ka si me ditë që një rast është skamnor nëse nuk paraqitet ndonjë dëshmi nga vet qytetari e aq më tepër kur i njëjti ka ardhur me para në dorë në KBI dhe pa asnjë vërejtje a kërkesë për lirim, e ka paguar anëtarësinë”, thuhet në r eagimin e KBI-së. Ndërsa ky Këshill ka njoftuar se sot i ka kthyer paratë e anëtarësisë qytetarit Sabri Beqiri. “Po ashtu KBI ka formuar një komision të brendshëm për të shikuar nëse ka pasur ndonjë lëshim nga zyrtarët e KBI në këtë rast e për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen”, theksohet në fund të reagimit të KBI.