Një ëmbëlsirë e famshme për butësinë dhe shijen e saj të lehtë, që të mrekullon.
Në pamje të parë, mund t’ju ngjaj me pandispanjën, por në të vërtetë ka një ndryshim thelbësor në përgatitjen e brumit.
Qumështi i ngrohtë e karakterizon këtë recetë, dhe e bën kekun unik.
Nëse nuk e keni dëgjuar më parë, zbulojeni se si përgatitet vetëm në disa hapa.
Jemi të sigurt që keni për t’u mahnitur me ëmbëlsinë delikate që e karakterizon.
Përbërësit për një tavë mesatare
- 200 g qumësht i ngrohtë
- 200 g miell
- 180 g sheqer
- 60 g gjalpë
- 4 vezë
- 6 g fryrës për ëmbëlsira ose sodë buke
- Pak kripë
- Lëkura e një limoni
Si të përgatisni kekun me qumësht të ngrohtë?
- Për të realizuar këtë recetë, filloni duke vendosur telin e furrës në shkallën më të ulët dhe duke e parangrohur në 180 gradë Celsius.
- Në një tas hidhni vezët, shtoni pak fare kripë dhe rrihini me telin e kuzhinës.
- Filloni të shtoni gradualisht sheqerin, gjithmonë duke e përzjerë me telin e kuzhinës.
- Vazhdoni procesin derisa masa të ketë marrë një ngjyrë të lehtë të verdhë, dhe kokrrizat e sheqerit të jenë tretur.
- Më pas sitni të gjithë miellin dhe sodën e bukës, shtojeni tek tasi ku keni vezët dhe sheqerin.
- Përzjejeni me një lugë duke e lëvizur nga poshtë lart, derisa të formohet një masë kompakte, dhe përbërësit të jenë bashkuar.
- Në një xhezve vendosni qumështin që të ngrohet me zjarr mesatar, më pas shtoni dhe sasinë e gjalpit.
- Duhet ta përzjeni me një lugë sa gjalpi të shkrihet, dhe ta hiqni nga zjarri para se ai të fillojë të vlojë.
- Këtë masë e shtojmë tek brumi i formuar më parë, dhe e përzjejmë derisa përbërësit të krijojnë një masë homogjene.
- Në një tavë, pasi ta keni lyer me gjalpë dhe spërkatur me pak miell, hidhni brumin e kekut.
- Vendoseni tavën në furëë me telin në shkallën më të ulët të furrës, dhe lëreni të piqet përreth 35 minuta.
- Kur të kenë kaluar 25 minutat e para, ngrijeni tavën në lartësinë mesatare të furrës.
- Që të kuptoni nëse keku është gati, mjafton vetëm ta shponi me një thikë, nëse sipërfaqja e saj del e pastër, keku është pjekur.
- Pasi ta nxirrni nga furra, kalojeni në një pjatë të madhe që të ftohet totalisht.
- Më pas mund ta shijoni kekun tuaj me qumësht të ngrohtë.
- Mund ta kombinoni duke i hedhur në sipërfaqe pak mjaltë, reçel, çokollatë të shkrirë, apo dhe thjeshtë duke e spërkatur me sheqer pluhur për të shoqëruar kafen apo çajin.
- Duke qenë se është e thjeshtë në shije, mund të jetë perfekt dhe për mëngjeset e shpejta, por dhe si ëmbëlsirë pas vaktit të drekës.







