Këshilla të ‘Arta’

Vehbi Zeqiri

Në dekadat e fundit është duke u vërejtur një hendek i theksuar në mes punëdhënësve dhe punëmarrësve apo raportit udhëheqës–punonjës. Gjatë gjithë kohës dëgjon prej të dyja palëve akuza të ndërsjella që kanë të bëjnë me qasjen, mënyrën, dhe trajtimin e gabuar që palët kanë ndaj njëra tjetrës.

Këto mospajtime dhe mosmarrëveshje në mes tyre, gjatë procesit të punës, kanë një adresë:
Udhëheqës/Punëdhënës jo Kompetent – Nëse ne kemi arritur të bëhemi udhëheqës përmes aftësive teknike apo profesionale nuk do të thotë që jemi në gjendje të udhëheqim mirë dhe drejt. Udhëheqja kërkon njohuri dhe kompetenca krejtësisht tjera prej njohurive teknike dhe profesionale që kemi.
Amaneti/Përgjegjësia – Ndjenja e përgjegjësisë është zbehur aq shumë sa që është bërë e ‘huaj’ për ne. Gjatë punësimit ne marrim përsipër një amanet si dhe japim një premtim përmes kontratës, të cilin premtim medoemos duhet plotësuar, nga të dyja palët.
Pikëpamja ndaj Jetës/Botës – Se çfarë pikëpamje kemi ndaj jetës dhe botës, përcakton çdo veprim, synim, dhe dëshirë që kemi dhe bëjmë. Perceptimi i konceptit jetë apo botë që kemi është aq i fuqishëm në çdo vendimmarrje dhe drejtim që marrim, por edhe si i edukojmë brezat e ardhshëm.
Edukata Familjare – Determinon çdo sjellje dhe veprim që ndërmarrim gjatë punës dhe marrëdhënieve tjera shoqërore. Është bazament para çdo njohurie, profesioni, arsimimi, etj. Edukata e mangët në vitet e para të jetës, vështirëson dhe zgjatë përmirësimin e sjelljeve tona, pasi që i kemi kuptuara se janë të gabuara.

Për të gjitha këto gjejmë këshilla të përpikta dhe të mjaftueshme në mësimet tona fetare.
Uroj që raporti udhëheqës-punonjës të përmirësohet dhe me te edhe zhvillimi i vendit tonë

Në shkrimin e mëposhtëm mund të gjeni këshilla precize dhe gjithëpërfshirëse të cilat përmbajnë: liderizëm, inteligjencë emocionale, empati, aftësim profesional, karrierë, etj.

Drejtuar djalit tim i cili u punësua për herë të parë, pas mbarimit të studimeve
Biri im…
Bëje më të mirën – Gjithmonë angazhohu që ta bësh më të mirën e mundshme, pavarësisht pagës dhe kushteve (mjeteve) të ofruara nga punëdhënësi. Njerëzit gjithmonë do ta kujtojnë performancën tënde e assesi nivelin e pagës që kishe apo kushtet e ofruara. Duke bërë më të mirën në çdo kohë, do t‘i zhvillosh aftësitë tua dhe ndërtosh karrierën mbi themele dhe shtylla të qëndrueshme. Duke bërë më të mirën gjithmonë, do të bëhesh i domosdoshëm dhe i pa zëvendësueshëm për kompaninë dhe shoqërinë

Merr iniciativa – Pavarësisht nga përshkrimi i punës dhe përgjegjësive që mund t’i kesh, gjithmonë kërko leje nga punëdhënësi për iniciativa përmirësuese dhe progresive të kompanisë. Këto iniciativa mund ta rrisin angazhimin tënd dhe përgjegjësitë tua, por do të sigurojnë për ty një pozicion jashtëzakonisht të favorshëm brenda kompanisë dhe shoqërisë në përgjithësi. Marrja e iniciativave është aq e rrallë në bizneset e sotme, sa që mund të pozicionoj në nivelet më të larta të profesionistëve dhe njerëzve të suksesshëm

Sillu si lider (udhëheqës) – Gjithmonë ndihmoj dhe mbështeti punonjësit tjerë. Vullnetarisht angazhohu në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të mundshme mes punëtorëve tjerë, duke treguar ndjeshmëri të lartë. Duke bërë këtë, do të fitosh respekt dhe do të përgatitesh për pozicione të mundshme udhëheqëse. Përmirëso marrëdhëniet tua me punonjësit e tjerë dhe shto rrjetin tënd me njerëz të suksesshëm të cilët mund të jenë vendimtar dhe shembull për karrierën dhe personalitetin tënd.

Duaje atë që bën. Bota po të pret!

Nga: Vehbi Zeqiri
Në pozita udhëheqëse prej më shumë se tri dekada