Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Turqisë ka deklaruar mbështetjen e tij për integritetin territorial të Sirisë dhe ka shprehur angazhimin e tij për stabilitetin në vend, raporton Anadolu.
I kryesuar nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan, Këshilli i Sigurisë Kombëtare në një deklaratë me shkrim përshkroi qëndrimet e Ankarasë për Sirinë, Libanin dhe Palestinën.
Sipas deklaratës, Turqia shprehu mbështetjen e saj të fuqishme për integritetin territorial dhe unitetin e Sirisë, si dhe gatishmërinë e saj për të dhënë çdo kontribut të nevojshëm drejt stabilitetit në vend.
“Grupeve terroriste që përpiqen të përfitojnë nga paqëndrueshmëria në Siri dhe që synojnë t’i japin një goditje unitetit të saj, nuk do t’u lihet dora e lirë”, thuhet në deklaratë, duke u theksuar se të gjitha kërcënimet nga këto grupe ndaj sigurisë kombëtare turke do të eliminohen.
Këshilli gjithashtu theksoi se zhvillimet në Siri demonstruan edhe një herë domosdoshmërinë e marrjes së masave për të mbrojtur jetët dhe pronat e civilëve, si dhe imperativin që regjimi të pajtohet me popullin e tij dhe grupet e opozitës për të arritur paqen e qëndrueshme.
Lidhur me armëpushimin në Liban, Këshilli i Sigurisë Kombëtare shprehu shpresë se armëpushimi do të jetë i përhershëm, duke theksuar rëndësinë e respektimit të ligjit ndërkombëtar dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për t’i dhënë fund masakrave dhe agresionit të shfrenuar të Izraelit.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare gjithashtu theksoi qëndrimin e vendosur të Turqisë drejt një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes palestineze.






