Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka njoftuar se të shtunën në mbrëmje, me kërkesë të Kryeministrit Albin Kurti, është mbajtur mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë.
Siç bëhet e ditur në njoftim, në këtë takim u diskutuan zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, përfshirë operacionin ushtarak “Epic Fury” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe forcave partnere kundër Republikës Islamike të Iranit.
Kurti ka ritheksuar qëndrimin e palëkundur të institucioneve të Kosovës përkrah aleatëve strategjikë, veçanërisht SHBA-së, në përpjekjet për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
“Republika e Kosovës, në përputhje me orientimin e saj euroatlantik dhe partneritetin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështet veprimet e ndërmarra nga SHBA-të ndaj objektivave të regjimit të Ajatollahëve në Iran, duke i vlerësuar ato si masa që synojnë parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë dhe kufizimin e kapaciteteve destabilizuese në rajon. Njëkohësisht, Republika e Kosovës shpreh solidaritetin e saj me popullin e Iranit dhe aspiratat e tyre legjitime për liri, dinjitet dhe të drejta themelore,” thuhet në njoftim.
Në mbledhje po ashtu është theksuar se institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe sigurisë brenda vendit dhe po monitorojnë për së afërmi zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke vlerësuar edhe implikimet e mundshme për Kosovën dhe rajonin.
“Në komunikim të afërt dhe të vazhdueshëm jemi edhe me partnerët tanë strategjik,” nënvizohet në njoftim.
Qytetarëve u bëhet thirrje të qëndrojnë të qetë dhe të informohen vetëm nga kanalet zyrtare dhe burimet kredibile, duke mos u ndikuar nga dezinformatat dhe propaganda që synojnë destabilizimin dhe krijimin e tensioneve brenda vendit.
“Republika e Kosovës mbetet një partnere e besueshme dhe e përkushtuar e komunitetit euroatlantik dhe do të vazhdojë të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta për paqe, siguri dhe stabilitet global,” përfundon njoftimi.







