Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kina dhe Pakistani diskutojnë mënyrat për të avancuar partneritetin strategjik

Kina dhe Pakistani diskutojnë mënyrat për të avancuar partneritetin strategjik

Kina dhe Pakistani diskutuan të hënën mënyrat për të avancuar partneritetin e tyre strategjik afatgjatë, si dhe zhvillimet në dinamikat rajonale dhe ndërkombëtare të sigurisë, transmeton Anadolu.

Diskutimet u zhvilluan gjatë një takimi mes shefit të ushtrisë pakistaneze, marshallit Asim Munir, dhe ministrit të Departamentit Ndërkombëtar të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze, Liu Haixing, i cili ndodhet për vizitë në Pakistan. Takimi u mbajt në selinë e ushtrisë, në qytetin garnizon të Ravalpindit, në verilindje të vendit, njoftoi ushtria në një deklaratë.

Gjatë takimit, të dyja palët diskutuan çështje me interes të përbashkët, zhvillimet në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Ato shprehën vendosmërinë e përbashkët për të forcuar më tej “partneritetin strategjik të bashkëpunimit gjithëpërfshirës dhe afatgjatë” mes Pakistanit dhe Kinës.

Duke vënë në pah “lidhjet historike dhe të konsoliduara ndër vite” mes dy vendeve, Munir theksoi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm në nivele të larta, forcimit të lidhjeve institucionale dhe zgjerimit të bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.

Nga ana e tij, Liu vlerësoi kontributin e Pakistanit për paqen dhe stabilitetin rajonal, si dhe shprehu besimin se partneriteti strategjik afatgjatë mes dy aleatëve do të zhvillohet më tej.

Liu, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare treditore në Pakistan, u takua gjithashtu në Islamabad me kryediplomatin e vendit, Ishaq Dar.

Javën e kaluar, të dy vendet nisën Korridorin e Informacionit Kinë-Pakistan, i cili synon të përqendrohet në kundërshtimin e narrativave çorientuese, shkëmbimet kulturore dhe bashkëpunimin mes instituteve kërkimore.