Kirurgjia kozmetike dhe regulloret e paqarta të administrimit

Studiuesit që kanë vëzhguar industrinë britanike të kozmetikës thonë se një në tre praktikues që injektojnë klientët me “fillers” dhe “botox” nuk janë mjekë të kualifikuar. Nuk ka asnjë kërkesë ligjore që ata që administrojnë injeksionet të jenë mjekë të kualifikuar, por studiuesit paralajmërojnë se ky sektor i biznesit të bukurisë është “pa rregullore të përcaktuar qartë”.

Në klinikën e Vincent Wong-ut në Londër ka pasur një rritje prej 50% të kërkesave për injeksione të tilla si “fillers” dhe “botox”.

Ndryshe nga shumica e praktikuesve në këtë industri, zoti Wong është një mjek i kualifikuar, si dhe është specialist në kirurgjinë kozmetike.

Sipas një raporti të ri nga studiuesit në Kolegjin e Londrës, pak më shumë se një e treta, 32% e atyre që kryejnë injeksione janë mjekë, 13% janë infermierë, 24% dentistë dhe 8% infermierë dentarë.

Autorët e studimit thonë se sektori “është pa rregullore të qarta”.

Zoti Wong thotë se ai ka vënë re një rritje të interesit për injeksione që nga pandemia kur të gjithë po përdornin video konferenca për të qëndruar në kontakt, krahas rritjes së faqeve të mediave sociale.

“Më shumë njerëz po shfaqen në ekran, ata po shohin se si duken pa grim”, thotë mjeku Wong.

Zoti Wong thotë se një mjek mund të zgjidhë problemet e mundshme.

Ai thotë se ndërsa të tjerët mund të kenë njëfarë trajnimi mjekësor, ata mund të mos i njohin të gjitha rreziqet.

“Përzgjedhja e gabuar e produktit, ose injektimi i shtresës së gabuar të fytyrës përbëjnë rrezik. Mendoj se gjëja kryesore për të shkuar tek një person i kualifikuar dhe kompetent është se ata do të jenë në gjendje të njohin komplikimin dhe gjithashtu të menaxhojnë situatat,” thotë zoti Wong.

Kirurgu David Zargaran thotë se një sfidë kryesore me të cilën përballen rregullatorët është të sigurohen që njerëzit që kanë licencë për të kryer këto procedura, janë të aftë dhe nuk përbëjnë rrezik për pacientët.

“Nuk ka asnjë legjislacion specifik se kush mund të administrojë në të vërtetë injeksionet dermo mbushëse. Çështja themelore në lojë është kompetenca”.

Sipas një raporti, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po përgatitet të përditësojë politikën e saj dhe rekomandimet në Aktin Mjekësor në vitin 2024/VOA