Kirurgu britanik flet për 40 ditët në Gaza: Qëllimi i luftës shkatërrimi i Gazës dhe popullit të saj

Gassan Abu Sitte

Kirurgu britanik me origjinë palestineze Gassan Abu Sitte mbërriti në Rripin e Gazës me “Mjekët pa Kufij” (MSF) më 9 tetor për të ndihmuar palestinezët që ishin nën sulmet izraelite, shkruan Anadolu.

Ai kaloi 40 ditë atje dhe, siç tha ai, situata humanitare në Gaza vazhdon të jetë “katastrofike”.

Specialisti i kirurgjisë plastike dhe rikonstruktive Gassan Ebu Sitte në Gaza hyri më 9 tetor, dy ditë pas fillimit të sulmeve izraelite, nëpërmjet Egjiptit.

Ai punoi deri më 18 nëntor në kushte shumë të rënda në spitalet Al-Shifa dhe Al-Ahli.

Kirurgu britanik nëpërmjet mediave të ndryshme u përpoq t’i tregonte botës se çfarë po ndodhte në Gaza.

Ai do të mbahet mend për fjalimin e tij drejtuar mediave dhe botës mes trupave pas sulmit izraelit të 17 tetorit në spitalin Al-Ahli ku u vranë 500 njerëz.

Pas 40 ditësh u detyrua të largohej nga Gaza, sepse atje nuk mund të ndihmonte më për shkak të mungesës së ilaçeve dhe mjeteve mjekësore. Ai u kthye në Britani të Madhe.

Abu Sitte vazhdon të mbajë kontakt me kolegët e tij në zonë.

Në një intervistë për Anadolu, ai foli për situatën aktuale në Rripin e Gazës dhe gjithçka që ka përjetuar si kirurg.

Sipas tij, kriza humanitare në Gaza vazhdon të jetë shumë e rëndë.

“Shumë pak staf humanitar ka hyrë në Gaza, kjo shumë pak e ka përmirësuar situatën në rajon. Në spitalin Al-Ahli janë dërguar ushqime, janë dërguar disa ilaçe, por nesër do të fillojë përsëri lufta. Nëse fillon, nuk është e mjaftueshme për të mbajtur situatën aktuale”, shpjegoi Abu Sitte.

Në bisedat me kolegët që janë ende në Gaza, ai dëgjoi se gjatë pauzës humanitare, njerëzit po gërmojnë nëpër rrënoja për të gjetur trupat e të dashurve të tyre dhe për t’i varrosur me dinjitet.

“Ka mungesë ushqimi, uji dhe ilaçesh. Prej 36 spitaleve vetëm nëntë kanë shpëtuar. Prandaj, të plagosurit janë në çarçafe në dyshemetë e spitaleve. Kjo nuk ka ndryshuar. Është e qartë se qëllimi i kësaj lufte është shkatërrimi i Gazës dhe popullit të saj, për të shkatërruar etnikisht Gazën dhe njerëzit. Ta shkatërrojnë dhe ta bëjnë të pajetueshme dhe të detyrojnë njerëzit të largohen nga zona”, tha Abu Sitte.

Ai foli edhe për qëllimet e Izraelit dhe pse po shkatërrojnë spitalet.

“Nëse doni ta bëni një vend të pabanueshëm, bëni dy gjëra, plagosni 37 mijë njerëz dhe shkatërroni sistemin shëndetësor, që të mos mund të trajtohen. Të plagosurit dhe familjarët duhet të detyrohen t’i marrin jashtë shtetit, që do të thotë se keni kthyer një Gaza ku nuk mund të jetohet”, shpjegoi Abu Sitte.

Ai deklaroi se do të ndajë prova të krimeve të luftës që ai personalisht i ka dëshmuar gjatë kohës që ka qenë në Gaza.

“Unë jam i gatshëm të jap dëshmi (për krimet e luftës) për të gjitha institucionet ndërkombëtare nëpërmjet avokatit tim. Detyra ime si mjek nuk është vetëm të trajtoj pacientët e mi, por edhe të siguroj drejtësi për ta”, tha Abu Sitte.

Ai foli edhe për skenarin më të keq që mund të ndodhë në Gaza në ditët në vijim.

“Skenari më i keq i mundshëm, për mendimin tim, është se do të ketë një rrethim të Gazës pas armëpushimit dhe asnjë shtëpi nuk do të rindërtohet. Asnjë spital nuk do të riparohet. Nuk do të ketë ekipe mjekësore për të trajtuar njerëzit. Do të vazhdojë si një vdekje e heshtur për të arritur që Gaza të bëhet e pabanueshme”, shtoi Abu Sitte.