Kjo është kërkesa e Katarit për ta mbrojtur Jerusalemin

Ministri i Punëve të Jashtme të Katarit, Muhammed bin Abdurrahman Al Thani bëri thirrje për themelimin e një mekanizmi Islamik Arab për luftimin e vendimit të SHBA-ve për njohjen e Jerusalemit si “kryeqytet të Izraelit”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Al Thani në një deklaratë për kanalin Al Jazeera, me qendër në Katar, tha se duhet të ndërmerren hapat kolektive për dekurajim të SHBA-ve për vendimin e marrë lidhur me Jerusalemin.

Ai bëri thirrje për themelimin e një mekanizmi Islamik Arab për luftimin e këtij vendimi.

Ministri i Katarit shpreson se qëndrimi i shteteve arabe dhe të botës islame nga dënimet do të shndërrohet në hapa konkretë. Al Thani tha se vendimi në fjalë mund të ndikojë drejtpërdrejt në kauzën e Palestinës dhe në të ardhmen e rajonit.

Duke vënë në dukje se kauza e Jerusalemit nuk është vetëm kauzë e popullit të Palestinës por e gjithë umetit Islam, Al Thani tha se kjo çështje përveç qeverive dhe liderëve ka të bëjë edhe me popujt.

Presidenti amerikan Donald Trump të mërkurën deklaroi se ka ardhur koha ta njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe paralajmëroi zhvendosjen e ambasadës amerikane në këtë qytet, edhe pse rezoluta 478 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) në vitin 1980 nuk e njeh shpalljen e Jerusalemit si kryeqytet dhe aneksimin e Jerusalemit Lindor.

Vendimi në fjalë shkaktoi reagime të shumta në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.