Koha për ta nxjerrë Islamin nga xhamia…

Muhamed B. Sytari
Të dashur dhe të shtrenjtë vëllezër dhe motra besimtarë, të pranishëm në xhaminë e Kirasit, edhe ju që na ndiqni nepërmjet rrjeteve sociale!
A e keni vënë re se dita-ditës kur hapim mediat dhe rrjetet sociale për të marrë lajme të ndryshme, 3-4 kronikat e para kanë të bëjnë me vrasje, dhunime, shthurrje e devijime, për të cilat Allahu (xh.sh) nuk është razi, veprime që Islami ka ardhur për të na nxitur për t’u distancuar prej tyre?
A e keni vënë re se dita-ditës shtohet imoraliteti, shthurja, degradimi moral e afetarizmi në vendin tonë?
A nuk është ky një alarm i madh që duhet të na tërheqë vëmendjen për t’u zgjuar nga hutimi i madh që ka kapluar gjithandej dhe për të marrë përgjegjësi, për ta konsideruar veten secili si një thirrës i urtë drejt vlerave të Islamit, për ta ndryshuar realitetin e kësaj shoqërie, që duket se shkon në mënyrë të shthurur dhe të frikshme drejt një dekadence morale e shpirtërore, por jo vetëm, pasojat e së cilës janë të mëdha?!
Në Kuranin Famëlartë ka një ajet në suren En-Nahl, që më ka tërhequr vëmendjen prej kohësh dhe, ditën e djeshme në një mbledhje me imamët e myftinisë sonë, pikërisht në këtë xhami, po thoja se ka ardhur koha që t’i drejtohemi njerëzve dhe të ngrejmë alarmin për këto fenomene negative që po përhapen në masë në vendin tonë dhe po kalojnë pa asnjë lloj filtri, pa asnjë lloj vëmendje, pa asnjë lloj përkujdesje dhe po shfaqen e po prezantohen sikur të ishin lajme krejt të natyrshme?!
I hap sot kanalet televizive dhe është krejt e natyrshme të dëgjosh se dikush në një qytet prej qyteteve të Shqipërisë ka rrahur babain, apo ka nxjerrë në rrugë të madhe nënën, ose vëllau ka vrarë vëllanë, apo kushëriri ka masakruar kushëririn, apo motra, tezja, halla..! Këto janë realitete të frikshme!
Sot është bërë krejt e natyrshme që ti të hapësh mediat dhe të shohësh se kaq kg drogë, hashash e bimë narkotike janë ndalur këtu, janë kapur atje. Allah!
Sot është bërë krejt e natyrshme që ti të hapësh mediat dhe të shohësh se u vra ky, u vra ai, shpërtheu këtu, shpërtheu atje, u korruptua dikush! Këto janë të frikshme të dashurit e mi!
Nga po shkon kjo shoqëri?
Në të njëjtën kohë, mburremi duke thënë: “Mashallah xhamitë tona po mbushen me djem të rinj, po ndërtohen dhe inaugurohen përditë xhami të reja!”..!?
Tashti, ejani pak dhe të vendosim në peshore këtë realitet. Si është e mundur që në një shoqëri që tërhiqet dita-ditës drejt afetarizmit, drejt idhujtarisë, drejt imoralitetit, drejt shthurjes, drejt degradimit moral, drejt krejt të zezave, njëkohësisht të zhvillohet edhe thirrja islame, si kurrë më parë?!
A nuk është koha për të menduar se ne kemi nevojë ta nxjerrim Thirrjen Islame nga dyert e xhamive dhe mos të mburremi me ndërtimin e xhamive dhe me praninë e madhe të njerëzve në to, por ta shohim njësinë matëse të fetarizmit tonë të shëndoshë jashtë xhamisë?! Atje në rrugë, në tregti, atje ku komunikojmë me njëri-tjetrin, atje në rrugë ku është një varg i madh makinash dhe për shpirt do t’i kishim marrë krejt përpara nga nervozizmi dhe mungesa e durimit?!
Atje ku jemi duke blerë dhe e shohim tjerin duke na vjedhur apo duke na mashtruar dhe nuk kemi kurajon për t’i thënë: “Kije frikë Zotin!”!
Është koha të gjejmë mënyra për ta nxjerrë Thirrjen Islame dhe moralin e fesë nga xhamia jashtë xhamisë, të dashurit e mi.
Në mënyrë që feja të jetohet në këtë shoqëri dhe mos të ngelet Islami dhe morali i tij thjesht një shfaqje e bukur, si bukuria e kësaj xhamie, që është shumë e bukur, dritë, bukuri, ngjyra, bardhësi, rreze dielli, transparencë, mirëpo kur dalim në rrugë a jemi kështu?!
Dhe në jetën e përditshme a jemi ne muslimanë që e dëshmojmë Islamin dhe dëshmohet e shikohet Islami në sjelljet dhe në komunikimin tonë me njëri-tjetrin?
Apo po kthehemi dita-ditës në njerëz të izoluar brenda komuniteteve tona, (po nënkuptoj me fjalën komunitete çdo xhami)? Saqë po fillon dhe po kthehet në trend të thuhet, edhe brenda një qyteti (dhe sa të vogla janë qytetet tona) se në xhaminë tonë falemi kështu, ju në xhaminë tuaj si faleni? Si e falni ju këtë namaz ose si e falni ju atë namaz, ose a e bëni ju këtë në xhaminë tuaj?! Allah! Kjo është anarshi! Ky është fodullek! Kjo nuk ka lidhje me Islamin!
Kemi nevojë të dashurit e mi, të dalim nga xhamia, dhe ta dëshmojmë e të shihet kjo frymë e pastër e besimit në komunikimin tonë të përditshëm me njerëzit. Dhe jo ta konsiderojmë veten si njerëz të izoluar në realitetet tona!
Ne nuk jemi të izoluar, ne jemi taban i fortë në këtë vend! Ne jemi origjinë e vjetër dhe themel i fortë në këtë vend!
Dhe të mos pranojmë nga askush në botë, nga asnjë ligjërue(edhe në petkat e mia), që të vijë e të na udhëzojë drejt një realiteti dhe një fryme që nuk është, që nuk duhet të jetë dhe nuk duhet ta pranojmë!
Ne nuk jemi të izoluar, ne jemi pjesë integrale e kësaj shoqërie dhe këtij vendi të lashtë, ne jemi kush jemi në këtë vend!
Ne kemi kontributet tona, kemi frymën tonë, djersa, mundi, sakrifica e baballarëve, gjyshërve, shpirti i tyre, besimi i tyre, bamirësia e tyre është në origjinën dhe themelet e këtij vendi dhe kësaj toke. Mos t’ia kthejmë shpinën ne!
Thotë në suren En-Nahl: “All-llahu sjell si shembull një fshat (vendbanim) që ishte i sigurt dhe i qetë, të cilit i vinte furnizimi nga të gjitha anët me bollëk, kurse ata (banorët) i përbuzën të mirat e All-llahut. Atëherë All-llahu, për shkak të sjelljes së tyre, ua veshi petkun (ua ngjeshi) e urisë dhe të frikës.” – (Kurani, En-Nahl: 112)
Të ndalem tek ky ajet dhe të pyes: A nuk janë shfaqjet e dhunës, anarshisë, afetarizmit fanatik, imoralitetit, korrupsionit, e padrejtësisë që shtohen dita-ditës në këtë vend, shfaqjet e fodullekut dhe injorancës deri në foltoret më të larta të kombit, a nuk janë shfaqje dhe dëshmi se diçka ka ndryshuar në marrëdhënien tonë me Zotin e gjithësisë dhe është koha të pendohemi dhe të kthehemi nga Allahu (xh.sh), i Cili e ka begatuar këtë tokë dhe këtë vend tamam siç thotë në këtë ajet kuranor: “Rizku dhe begatitë i vinin nga çdo drejtim!”..!
Jemi të rrethuar me male, pyje, lumenj, me detra, me pasuri nëntokësore, mirëpo ku janë këto, ku është bereqeti i tyre në realitetet shqiptare?
Jemi një ndër vendet më të varfëra në glob, ndërkohë që jemi një ndër vendet më të pasura e të rrethuara me mirësitë e Allahut (xh.sh).
A nuk është koha të pyesim dhe të themi, tamam sikur thotë Kurani Famëlartë: “Nga po shkoni?”
Nga po shkoni, realisht nga po shkoni? Nga po shkon shoqëria shqipëtare, dhe nga po shkojmë ne muslimanët e këtij vendi?
Është momenti për t’u zgjuar të dashurit e mi dhe për t’u kthyer me pendim të sinqertë nga Zoti i gjithësisë, të Cilit i lutemi ta bagatojë ditën tonë e natën tonë, dhe të na bëjë prej atyre që e dëgjojnë fjalën dhe veprojnë më të mirën e saj, që krehohen me Islamin e tyre, që nuk tundohen përpara thirrjeve të imoralitetit dhe shthurjes e të ndryshimit të natyrës, të cilën Allahu (xh.sh) na ka krijuar dhe na ka udhëzuar drejt saj, dhe të na bëjë prej atyre që me krye lart e jetojnë këtë jetë duke e dëshmuar mirësinë e Islamit me çdo njeri dhe me çdo krijesë prej krijesave të Allahut, për të cilat jemi urdhëruar që të jemi të dobishëm dhe dashamirës, dhe të duam për tjetrin atë që duam për veten tonë!
Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Dersi i ditës së xhuma, më 25 qershor 2021, në xhaminë e lagjes Kiras, Shkodër)