Kolona të gjata veturash nëpër hyrje të Prishtinës

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga sot (12 prill, 2020) edhe Komuna e Prishtinës do të futet në karantinë për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Ky vendim është nxjerrë nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, në konsultim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, pasi mbrëmë (11 prill, 2020) janë konfirmuar edhe 27 raste të reja me Covid-19 në mbarë Kosovën, prej të cilave 20 janë në Prishtinë.

Ministri Vitia ka bërë të ditur se banorët të cilët ndodhen jashtë Komunës së Prishtinës, kanë mundësinë të kthehen më së largu sot (12 prill), deri në ora 17.00.

Klan Kosova ka shpërndarë disa ekipe për ta përcjellë gjendjen, nga ku mund të vërehen kolona të gjata veturash që presin për të hyrë në kryeqytet.

Në zonën industriale Prishtinë – Fushë Kosove ka qëndruar gazetari Rilind Matoshi i cili ka treguar se Policia është duke i ndaluar veturat për të verifikuar nëse të gjithë personat që po presin të hyjnë janë banorë të Prishtinës ose jo.

“Banorët e kryeqytetit i kanë disa paqartësi se si do të iu bëhet zgjidhja atyre që punojnë”.

Ndërsa në hyrje të lagjes Veternik ka qëndruar gazetarja Qendresa Bellagoshi e cila ka thënë se tashmë në kryeqytet ka filluar ta zbatohet masa e karantinimit.

“Kanë filluar të bëhen kolona edhe këtu pasi që Policia po i ndalon të gjithë ata që dëshirojnë të hyjnë në Prishtinë, ku po verifikohet se a janë banorë të Prishtinës apo jo”.

Kujtojmë se sot po ashtu pritet të mbahet një konferencë e jashtëzakonshme për media ku do të prezantohen masat e reja rigoroze që do të ndërmerren.