Komandanti i lartë iranian vritet në sulmin me raketë në konsullatën e Iranit në Siri

Mohammad Reza Zahedi

Një komandant i lartë i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) është vrarë në një sulm me raketë që shënjestroi konsullatën iraniane në kryeqytetin sirian Damas, transmeton Anadolu.

Siç raporton agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, gjenerali Mohammad Reza Zahedi, një komandant i lartë i Forcave Quds të IRGC-së në Siri dhe Liban, u vra në një sulm që shkatërroi ndërtesën e konsullatës iraniane pranë ambasadës iraniane.

Gjenerali Zahedi ishte një komandant veteran i RGC-së, i cili më parë komandonte forcat tokësore dhe ajrore të IRGC-së dhe gjithashtu shërbeu si zv/komandant i operacioneve ushtarake të IRGC-së.

Ka gjithashtu raporte të pakonfirmuara për vrasjen e gjeneralit Rahimi, i cili shërbeu si zëvendës i gjeneralit Zahedi, si dhe të gjeneral Hossein Amirullah, kreut të shtabit të përgjithshëm të IRGC-së në Siri dhe Liban.

Sulmi raketor thuhet se kishte në shënjestër një ndërtesë që shërbente si departament i çështjeve konsullore të ambasadës iraniane, si dhe rezidenca e ambasadorit iranian.

Ambasadori iranian në Siri, Hossein Akbari dhe familja e tij nuk u lënduan.

Duke folur për mediat pas sulmit, Akbari tha se ndërtesa u sulmua me avionë luftarakë F-35 dhe gjashtë raketa, duke vrarë disa nënsekretarë ushtarakë iranianë. Ai tha se numri i të vdekurve nga sulmi ishte nga pesë deri në shtatë persona.

Diplomati iranian tha se dy oficerë policie u vranë gjithashtu në sulm, duke shtuar se “në këtë moment nuk mund të zbulohen emrat”.

Megjithatë, radio e ushtrisë izraelite tha se ambasada iraniane nuk ishte objektivi i sulmit, por u bombardua një ndërtesë aty pranë që shërben si një seli ushtarake e IRGC në Damask, pa pranuar se sulmi ishte kryer nga Tel Avivi.

Në një deklaratë, Ministria siriane e Mbrojtjes tha se sulmi ndodhi rreth orës 17:00 me orën lokale, duke akuzuar Izraelin për kryerjen e sulmit nga Lartësitë Golan

Ministria siriane tha se mbrojtja ajrore e saj rrëzoi disa nga raketat, por sulmi çoi në “shkatërrimin e plotë” të ndërtesës dhe vrasje dhe lëndime të të gjithë të pranishmëve brenda.

Ministri sirian i Punëve të Jashtme, Faisal Mekdad, i cili vizitoi ambasadën iraniane pas sulmit, dënoi atë që ai e quajti një “sulm të ndyrë terrorist”, duke fajësuar Izraelin.

Sulmi erdhi mes tensioneve të rritura në rajon pas ofensivës izraelite në Rripin e Gazës, që ka vrarë më shumë se 3.,800 palestinezë dhe ka shkaktuar krizën më të keqe humanitare.

Më herët, kishte raporte për praninë e udhëheqësve të lartë palestinezë në ndërtesën e shënjestruar, duke përfshirë liderin e Xhihadit Islamik, Ziad al-Nakhaleh.

Nakhaleh dhe shefi i Hamasit, Ismail Haniyeh, ishin të dy në Teheran në fillim të kësaj jave, ku zhvilluan bisedime me lidershipin e lartë iranian.