Komisionerja e BE-së paralajmëron Izraelin kundër bllokimit të organizatave bamirëse në Gaza

Komisionerja Evropiane për Barazi, Përgatitje dhe Menaxhim të Krizave, Hadja Lahbib, tha të mërkurën se planet e Izraelit për të bllokuar organizatat ndërkombëtare joqeveritare në Gaza do të përbëjë bllokim të ndihmës humanitare që shpëton jetë, transmeton Anadolu.

“Planet e Izraelit për të bllokuar OJQ-të ndërkombëtare në Gaza nënkuptojnë bllokim të ndihmës që shpëton jetë. BE-ja ka qenë e qartë: ligji i regjistrimit të OJQ-ve nuk mund të zbatohet në formën e tij aktuale. Të gjitha pengesat për aksesin humanitar duhet të hiqen. DNH (E Drejta Ndërkombëtare Humanitare) nuk lë vend për dyshim: ndihma duhet të arrijë tek ata që kanë nevojë”, tha Lahbib në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X.

Pavarësisht se marrëveshja e armëpushimit hyri në fuqi në tetor, Izraeli vazhdon t’i mbajë kalimet kufitare të Gazës kryesisht të mbyllura, duke parandaluar hyrjen e shtëpive të lëvizshme dhe materialeve të rindërtimit dhe duke përkeqësuar krizën humanitare që prek mbi 2 milionë njerëz.

Zyrtarët palestinezë thonë se të paktën 414 persona në Gaza janë vrarë që nga armëpushimi.