Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së, nuk bëhet e ditur tema e diskutimit

Ndonëse takimi i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë zgjati më shumë se një orë, asnjë nga anëtarët e këtij Komisioni nuk kanë deklaruar për media lidhur me atë se çka është diskutuar.

Kryetarja e këtij Komisioni, Donika Kadaj-Bujupi tha se takimi ishte i mbyllur dhe se nuk mund të ndaj informata se çka është diskutuar.

“Ishte takim i mbyllur për media, rrjedhimisht nuk mundem të ndaj informatën sot me ju. Po ju them edhe një herë ishte takim i mbyllur. Faleminderit”, tha ajo pas përfundimit të takimit.

Kadaj-Bujupi nuk është përgjigjur as në pyetjen nëse në këtë komision është diskutuar për vrasjen e një të riu nga Kosova në Siri, ashtu siç është raportuar dje në media.