Komshiq: Forcat e Armatosura janë shembulli më i mirë se reformat e suksesshme janë të mundshme në BeH

Në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) është mbajtur një aktivitet me rastin e 20-vjetorit të Forcave të Armatosura të BeH-së, raporton Anadolu.

Kryesuesi i Presidencës së BeH-së, Zheljko Komshiq tha se Forcat e Armatosura të BeH-së janë faktor stabiliteti në të gjithë vendin dhe se përmes ushtrimeve jashtë vendit ato kanë dëshmuar traditën e tyre të bashkëpunimit të suksesshëm me ushtarët nga vendet e NATO-s dhe kështu e kanë forcuar atë aleancë.

“Forcat e Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës janë shembulli më i mirë se reformat e suksesshme janë të mundshme në vendin tonë”, tha ai në ceremoninë qendrore ushtarake në Rajlovac, pranë Sarajevës, me rastin e shënimit të 1 dhjetorit – Ditës së Forcave të Armatosura të BeH.

Ai deklaroi se “ne kemi vërtetuar me këtë shembull se mund të arrijmë marrëveshje në këtë vend”.

“Ky është atdheu i të gjithëve nesh dhe vetëm ne mund ta mbrojmë atë”, tha Komshiq duke shtuar se “edhe atëherë, u desh të bëheshin shumë kompromise dhe u desh të investohej shumë njohuri, vullnet dhe vendosmëri për ta bërë këtë”.

“Të them të drejtën, kjo u bë me ndihmën e madhe të miqve nga komuniteti ndërkombëtar. Sot, 20 vjet më vonë, mund të themi se Forcat tona të Armatosura përfaqësojnë një faktor stabiliteti në të gjithë vendin”, tha ai.

Komshiq theksoi se me kalimin e viteve, anëtarët e Forcave të Armatosura të BeH-së kanë dëshmuar vazhdimisht gatishmërinë e tyre për të ndihmuar qytetarët, por edhe për ta përfaqësuar vendin me besueshmëri në misionet ndërkombëtare, përfshirë angazhimet në Azi dhe Afrikë.

“Për fat të keq, një luftë e përgjakshme po zhvillohet tani në kontinentin tonë, në Evropë. Edhe një herë, disa vende, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare, po kryejnë agresion kundër fqinjit të tyre”, tha Komshiq.

Ai paralajmëroi për problemet në vendimmarrjen politike dhe financimin e ushtrisë, duke theksuar se lufta për standarde dhe pajisje më të mira të Forcave të Armatosura të BeH-së duhet të mbetet përparësi. Ai i uroi pjesëtarët e Forcave të Armatosura për ditën e tyre, duke u uruar suksese në shërbim dhe në jetën private.

Ministri i Mbrojtjes së BeH-së, Zukan Helez kujtoi se pjesëtarët e Forcave të Armatosura të BeH kanë pasur ushtrime, trajnime, misione paqeruajtëse dhe operacione të suksesshme gjatë 20 viteve të fundit.

“Mund të them me krenari se jemi në një nivel të lartë zhvillimi dhe se po vazhdojmë të pajisim dhe armatosim Forcat e Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës. Në periudhën e ardhshme, pres edhe më shumë pajisje dhe armë krahasuar me atë që patët mundësinë të shihni sot dhe gjithashtu po përpiqemi të ndjekim fqinjët tanë dhe vendet e tjera në nivelin e gatishmërisë dhe stërvitjes si dhe në armë”, tha ai.

Helez shtoi se “Forcat e Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës do të jenë gjithmonë të gatshme të mbrojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe kufijtë e Bosnjë e Hercegovinës”.

Ai vuri në dukje se BeH është shumë më afër nga shtetet partnere për t’u bërë anëtare e NATO-s dhe se ai është i bindur se Forcat e Armatosura të BeH-së do të marrin pjesë në misionet paqeruajtëse në Gaza, siç tha ai, për miqtë në Gaza.

Shefi i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të BeH, gjenerali Gojko Knezheviq kujtoi pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të BeH-së në misionet e mbështetjes së paqes.

Ai theksoi se janë të kënaqur me interesin për t’u bashkuar me Forcat e Armatosura të BeH-së, por se interesi është më i ulët krahasuar me periudhën dhjetë ose më shumë vjet më parë.

“Pjesëmarrja në operacionet e mbështetjes së paqes ende është në baza vullnetare”, shtoi ai.