Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Glauk Konjufca, ka deklaruar se takimet me homologët nga Shqipëria nuk janë takime tipike bilaterale, por vëllazërore, duke theksuar lidhjen e veçantë mes dy shteteve.
Këto komente ai i bëri në konferencën e përbashkët për media me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.
Konjufca e quajti Spiropalin mike, duke theksuar se raportet mes dy vendeve tejkalojnë format klasike të bashkëpunimit ndërshtetëror.
“Takimet me homologë nga Shqipëria nuk janë si takime tipike bilaterale, sepse ne, ndonëse kemi ministri të jashtme, Shqipëria dhe Kosova nuk janë të jashtme për njëra-tjetrën. Vendet tona janë shumë më tepër dhe takimet tona janë vëllazërore, takime të të njëjtit komb që më shumë se interesa ndërshtetërore ndajnë fatin historik dhe politik”, tha Konjufca.
Ai theksoi se Kosova është e përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura ndër vite me Shqipërinë, të cilat sipas tij janë mbi 140.
“Kosova është e përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që kemi nënshkruar gjatë viteve me Republikën e Shqipërisë — e ato janë mbi 140 — dhe për afrimin e dy shteteve tona, si dhe të shoqërive tona në çdo fushë të jetës”, u shpreh ai.
Sipas Konjufcës, gjatë takimit është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik, koordinimin e plotë në politikën e jashtme, si dhe për forcimin e kapaciteteve të brendshme diplomatike.
Kryediplomati kosovar përgëzoi Shqipërinë për, siç tha ai, “hapat gjigantë” në procesin e integrimit evropian.
“Sa më i fortë që të jetë koordinimi ynë, aq më e sigurt do të jetë rruga jonë drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi Konjufca.
Ai falënderoi Shqipërinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, si në procesin e shtetndërtimit, ashtu edhe në përfaqësimin e interesave të saj në arenën ndërkombëtare.
“Jam i bindur se koordinimi ynë do ta fuqizojë përpjekjen e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, për afrimin dhe anëtarësimin drejt NATO-s dhe në organizata të tjera të rëndësishme ndërkombëtare. E ardhmja jonë, ashtu si e kaluara jonë, do të jenë të lidhura përgjithmonë”, theksoi ai.







