Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Konvoji për Palestinën niset nga Sarajeva drejt Srebrenicës

Konvoji për Palestinën niset nga Sarajeva drejt Srebrenicës

Konvoji Ndërkombëtar për Palestinën është nisur nga Sarajeva drejt Srebrenicës, stacioni i parë në itinerarin përmes të cilit pjesëmarrësit synojnë të tërheqin vëmendjen e opinionit publik ndërkombëtar ndaj krizës humanitare dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut në Palestinë, raporton Anadolu.

Konvoji, i cili mbledh përfaqësues të shoqërisë civile dhe vullnetarë nga disa vende, e kishte nisur më herët udhëtimin nga Franca. Organizatorët e përshkruajnë atë si një iniciativë ndërkombëtare qytetare me një nga itineraret më të gjata të organizuara ndonjëherë.

Në Srebrenicë, pjesëmarrësve do t’u bashkohen aktivistë nga disa vende evropiane, pas së cilës do të vazhdojnë së bashku rrugëtimin drejt Palestinës, me synim përfundimtar mbërritjen në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Organizatorët theksojnë se zgjedhja e Srebrenicës si stacioni i parë është simbolike dhe përbën një kujtesë se tragjeditë e mëdha njerëzore nuk duhet të harrohen dhe as të përsëriten.

“Ky do të jetë konvoji i parë në botë, itinerari simbolik i të cilit çon nga një gjenocid drejt një tjetri”, deklaruan organizatorët, duke shtuar se synimi është t’ia përcjellin komunitetit ndërkombëtar zërin e popullit palestinez dhe të forcojnë solidaritetin global.

Gjatë udhëtimit janë planifikuar takime të shumta dhe aktivitete publike me qëllim informimin e opinionit publik për situatën humanitare në Palestinë dhe promovimin e vlerave të paqes, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.

Me rastin e mbërritjes së konvojit në kryeqytetin Sarajevë, iniciativa Bosnja për Palestinën organizoi një marshim paqësor solidariteti me popullin palestinez. Pjesëmarrësit do të mblidhen para Vijecnicë, prej nga qytetarët do të nisen drejt Katedrales së Zemrës së Jezusit, ku do të zhvillohet një program i posaçëm dhe do të mbajnë fjalime të ftuarit.

Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që në mënyrë paqësore dhe dinjitoze t’i bashkohen përcjelljes së mesazhit të solidaritetit dhe mbështetjes për popullin palestinez.