Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka bërë të ditur se ka nisur zbatimi i Marrëveshjes me Italinë për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit dhe shmangies tatimore në fushën e të ardhurave.
Në komunikatën për media thuhet se kjo marrëveshje synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë, duke krijuar kushte më të favorshme për investime dhe zhvillim të aktiviteteve ekonomike.
Përmes saj, individët dhe bizneset përfitojnë nga shmangia e tatimit të dyfishtë, duke u lehtësuar barra tatimore dhe duke rritur sigurinë në trajtimin e të ardhurave.
Po ashtu, marrëveshja synon parandalimin e evazionit dhe shmangies tatimore, duke vendosur rregulla të qarta për deklarimin e saktë të të ardhurave dhe kufizimin e praktikave abuzive.
Ajo zbatohet për personat rezidentë të të dy shteteve dhe përcakton mënyrën e trajtimit tatimor të të ardhurave, në përputhje me legjislacionin përkatës.
Nga ATK theksohet se kjo marrëveshje kontribuon në rritjen e sigurisë ligjore për investitorët dhe në përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare.
Aktualisht, Kosova ka në fuqi gjithsej 22 marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë me shtete të ndryshme, duke vazhduar zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë fushë.








