Kosova: Kompromisi midis dëshirës dhe mundësisë

Xhelal Neziri

Tensionet në veri të Kosovës, të cilat shfaqen ciklikisht e u përkeqësuan muajt e fundit, rrezikojnë ta paraqesin Kosovën si shkaktare e jo si viktimë. Veprimet e pamenduara mirë me zgjedhjet e bojkotuara nga serbët lokalë në katër komunat në Veri, ku ata përbëjnë shumicë, reflektojnë kryeneçësi dhe paraqesin një aventurë të rrezikshme për shtetësinë e Kosovës.

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

Shtetet e vogla janë aktorë të parëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. Si të tilla, këto shtete janë në rrezik të përhershëm që të mbijetojnë në një botë që me shekuj është rregulluar jo me parime apo vlera, por me interesa dhe fuqi të shteteve më të mëdha. Të vogla e të parëndësishme janë shumica e 206 shteteve në botë, të cilët gjatë historisë kanë fituar, humbur, rifituar ose rihumbur shtetësinë disa herë, varësisht prej rrethanave.

Unionet dhe aleancat si shpëtim

Numri i shteteve në vitin 1900 ishte vetëm 78. Në këtë vit Europa numëronte vetëm 25 kombe. Ky numër u rrit pas rënies së perandorive në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të. Në këtë periudhë u shpërbënë Perandoria Osmane, ajo e Habsburgëve, e më pas Britanike, Franceze, Austro-Hungareze… Në fillim të viteve të ’50-ta të shekullit të kaluar ndodhi dekolonializimi i shteteve afrikane dhe aziatike, ndërkohë që në fillim të viteve të ’90-ta erdhi deri te shpërbërja federatave të llojit sovjetik, ku çdo popull kishte republikën e vet në kuadër të një unioni jo mirë të vendosur. Federata të tilla ishin Bashkimi Sovjetik, Jugosllavia dhe Çekosllovakia, të cilat nuk arritën të krijojnë një identitet i cili do të bënte që njerëzit të dalin nga lëvozhgat e tyre etnike dhe të angazhohen për bashkësinë e re, të krijuar mbi parime dhe vlera të përbashkëta.

Kjo periudhë në 150 vitet e fundit e ka rimenduar rolin e shteteve në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku shtetet e vogla ngelën të dobëta dhe të cenueshme ndaj fuqive të mëdha. Këto shtete gjithmonë janë në kërkim të partnerëve, unioneve dhe aleancave, me qëllim që ta ruajnë sovranitetin e tyre të pjesshëm në një botë të karakterizuar nga kaosi dhe paparashikueshmëria.

Ka shumë debate se çka definohet si “shtet i vogël”. Pjesa më e madhe e teoricienëve pajtohen se me termat “të vogla” ose “të mëdha” jo çdoherë karakterizohen ato që kanë numër të vogël të banorëve ose territor të vogël. Ky term më shumë i referohet fuqisë ekonomike, ushtarake dhe politike të një shteti, edhe pse shtete të vogla më shumë janë ato që numërojnë ndër 2 milionë banorë.

Me gjithë arrogancën e të fuqishmëve, shtetet e vogla po njihen gjithnjë e më shumë si aktorë të rëndësishëm në politikën ndërkombëtare. Në rast të bashkimit në unione të qëndrueshme dhe funksionale, shtetet e vogla arrijnë potencialin e përcaktuesit në politikën ndërkombëtare. India është union i 100 shteteve, SHBA i 52 shteteve, BE tash për tash ka 27 anëtarë… Pesha e shteteve në këto unione, nga aspekti normativ, është e njëjtë, por në realitet fuqia ekonomike dhe madhësia e determinojnë edhe pozitën në hierarkinë e unioneve.

Pa marrë parasysh këtë, janë shtetet e vogla ata që kanë më shumë interes për unionet dhe aleancat sesa shtetet e mëdha. Ish presidenti amerikan, Donald Trump, në një intervistë në vitin 2018, tha se NATO, si aleancë politiko-ushtarake, nuk ka kuptim dhe se është jofunksionale. Sipas tij, çfarë mund t’i japë NATO-s një shtet me gjysmë milioni banorësh, si Mali i Zi, ndërkohë që nëse ai sulmohet, duhet të mbrohet nga SHBA-ja. Logjika e tij është e qartë: SHBA-ja nuk ka nevojë të dërgojë njerëz të vdesin në shtete tjera vetëm për hir të vlerave demokratike ose edhe të interesave të përbashkëta nën çadrën e NATO-s. SHBA-ja nuk ka nevojë për shtetet e vogla, por shtetet e vogla kanë nevojë për SHBA-në. Kjo u dëshmua në Luftën e Parë Botërore, por edhe më shumë më Luftën e Dytë Botërore. Europa nuk do të ishte ajo që është sot pa një aleancë me SHBA-në, e cila sot njihet si transatlantike dhe merr formë me NATO-n. Kur Trump-i dëshironte ta lëkundë këtë aleancë, ishte Europa ajo që u shqetësua më shumë.

Kosova si shtet në politikën ndërkombëtare

Kosova është shteti më i ri në Europë, i themeluar në vitin 2008. Në nivel botëror, vetëm Sudani i Jugut është më i ri se Kosova. Nga 193 shtete të regjistruara në OKB, vetëm 117 e kanë njohur. Midis shteteve që refuzojnë të njohin shtetësinë e saj janë edhe 5 anëtarë të BE-së.

Kosova nuk do ta kishte fituar shtetësinë pa një aleancë të fuqishme me SHBA-në dhe BE-në. Këto dy unione shtetesh janë krijuesit e Kosovës dhe garantuesit e shtetësisë së saj. Së këndejmi, sovraniteti i Kosovës është edhe më i cunguar sesa i një shteti të vogël. Gjatë rrugëtimit drejt shtetësisë, Kosova ka bërë shumë kompromise: Dejtoni dhe Plani i Ahtisarit nuk ishin ajo që e priste Kosova, por ishin rezultat i një kompromisi midis dëshirës për vetëvendosje dhe mundësive të kufizuara si shtet i vogël e në etablim e sipër.

Tani kërkohen lëshime tjera që të bëjë hapat e fundit. Me këtë numër të njohjeve Kosova është një shtet pa perspektivë, i cili nuk mund të bëhet anëtar i gati asnjë unioni që do të garantonte shtetësinë e saj dhe do t’i jepte hapësirë për protagonizëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pa perspektivë të qartë për anëtarësim në BE dhe NATO, kjo për shkak se nuk njihet nga pesë anëtarë të tyre, pa mundësi për t’u regjistruar si shtet në OKB dhe me pengesa të shumta për anëtarësim në organizatat tjera ndërkombëtare, Kosova dalëngadalë po paraqitet në skenën ndërkombëtare si një shtet që assesi nuk arrin ta përfundojë procesin e shtetndërtimit.

SHBA-ja dhe BE-ja dëshirojnë ta ndryshojnë këtë perceptim me atë që e shtyjnë Kosovën të bëjë hapat e fundit. Këto hapa nënkuptojnë fillimisht normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërsa më tutje – edhe njohjen e ndërsjellë. Edhe në këtë raport kemi një asimetri, ku Kosova është në pozicion të mos e fitojë drejtësinë utopike në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Tensionet në veri të Kosovës, të cilat shfaqen ciklikisht e u përkeqësuan muajt e fundit, rrezikojnë ta paraqesin Kosovën si shkaktare e jo si viktimë. Veprimet e pamenduara mirë me zgjedhjet e bojkotuara nga serbët lokalë në katër komunat në Veri, ku ata përbëjnë shumicë, reflektojnë kryeneçësi dhe paraqesin një aventurë të rrezikshme për shtetësinë e Kosovës. Kryeministri Albin Kurti ka të drejtë kur thotë se duhet ta shtrijë sovranitetin në tërë territorin e vendit, por ai sovranitet më shumë është përgjegjësi e unioneve dhe aleancave nga të cilat ka buruar ai sovranitet dhe garantohet si i tillë. Në një gjendje pa përkrahje të strukturave transatlantike, Kosova do të ishte një pre e lehtë për Serbinë.

Refuzimi i rekomandimeve të bashkësisë transatlantike është prerje e degës ku qëndron shteti i Kosovës. SHBA-ja dhe BE-ja tash për tash janë të vendosur në kërkesën për respektimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe të Aneksit të Ohrit. Kjo nënkupton themelim të menjëhershëm të Asociacionit të Komunave me Shumicë të Serbëve etnikë. Kjo pa dyshim se do ta pengojë Kosovën që një periudhë të gjatë të arrijë të bëhet shtet funksional demokratik, me një identitet të fuqishëm inkluziv kombëtar, si parakusht për zhvillimin e gjithmbarshëm të tij. Në vend të kësaj, Kosova do të zyrtarizojë etnizimin e shtetit, i cili do ta prodhojë atë që quhet stateness – një term që përdorin Linz dhe Stephan për situatat kur një pjesë e shtetasve nuk e ndjejnë shtetin si të tyre dhe kanë tendenca të shkëputjes.

Kërkimi i moralit dhe drejtësisë në marrëdhëniet ndërkombëtare është sikur të kërkosh arsye në vrullin e një lufte. Bota përherë ka funksionuar në gjendje lufte. Edhe tash kur ndasia midis Perëndimit dhe Rusisë është më e thellë që pas Luftës së Dytë Botërore. Në një ambient të tillë drejtësia determinohet nga numri i aleatëve dhe partnerëve, të cilët janë shtete të mëdha. Nëse vizitohet baza e të dhënave të lobimeve në SHBA (fara.gov) do të shihet se sa shumë mjete janë derdhur për të fituar një aleat dhe partner të fuqishëm në Uashington. Një kongresist është paguar edhe nga 30 mijë dollarë amerikan vetëm për të krijuar një opinion në favor të Kosovës në SHBA, i cili më pastaj do të shndërrohej në politikë të jashtme amerikane. Një nga investuesit më të mëdhenj në këtë partneritet, sipas të dhënave, edhe në aspektin financiar del të jetë presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai e ka ditur se Kosova nuk mund të arrijë deri te shtetësia, e më pas edhe ta forcojë atë, pa një aleancë të fuqishme me Perëndimin. Lindja nuk ishte opsion për të, ndërsa neutraliteti mbase do ta çonte rrugës së Enver Hoxhës. Ky vizion i Rugovës duhet ndjekur edhe nga politikanët e sotëm në Prishtinë. Sepse, asnjëherë nuk ka ndodhur që si Demokratët, ashtu edhe Republikanët në SHBA, të jenë kaq të dëshpëruar me qeverinë e Kosovës. /revistashenja