Kosova larg liberalizimit

“Me Qeverinë e re brenda 90 ditësh qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në Gjermani, Zvicër, Austri dhe në krejt Evropën”.

Ky ishte premtimi më i spikatur i kryeministrit Ramush Haradinajt gjatë fushatës elektorale në zgjedhjet e 11 qershorit. E ndonëse ka kaluar vetëm një javë prejse Haradinaj ka marrë zyrtarisht detyrën e të parit të ekzekutivit, liberalizimi i vizave nuk pritet të ndodhë brenda kësaj kohe.

Kështu konsiderojnë njohësit e integrimeve evropiane, të cilët madje thonë se edhe po që se Marrëveshja e Demarkacionit ratifikohet, procesi për heqjen e vizave nuk do të përfundojë assesi brenda tre muajve.

Ndërkohë, çështja e demarkacionit me Malin e Zi ende nuk është zgjidhur. Përkundrazi, ndonëse ratifikimi i kësaj Marrëveshjeje është kusht thelbësor për heqjen e vizave, qeveria “Haradinaj” tashmë ka shkarkuar Komisionin për Demarkacion (të drejtuar nga Murat Meha) dhe ka emëruar Shpejtim Bulliqin në krye të Komisionit të ri. /