Ballina Sport Futboll Kosova pëson humbje të thellë nga Irlanda

Kosova pëson humbje të thellë nga Irlanda

Kombëtarja e Kosovës e ka mbyllur me disfatë të thellë 3-0 përballjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve ndaj Irlandës, të zhvilluar sonte në stadiumin “Aviva” të Dublinit.

“Dardanët” e nisën mjaft mirë takimin dhe rrezikuan seriozisht në minutën e 18-të përmes Vedat Muriqit, goditjen e të cilit nga brenda zonës e ndali portieri Caoimhin Kelleher.

Megjithatë, gjithçka u përmbys në minutën e 26-të, kur mbrojtësi Kreshnik Hajrizi preku topin me dorë në zonë, duke shkaktuar penallti dhe duke u ndëshkuar direkt me karton të kuq nga gjyqtari Edgars Malcevs.

Nga pika e bardhë në minutën e 28-të u tregua i saktë Troy Parrott për 1-0. Pavarësisht se me 10 futbollistë në fushë, Kosova nuk u dorëzua dhe ishte shumë pranë barazimit në minutën e 35-të me një goditje me kokë të Ilir Krasniqit, por Kelleher reagoi me një pritje fantastike.

Fraksioni i dytë nisi sërish keq për të përzgjedhurit e Franco Fodës. Pasi Arijanet Muriq ndali fillimisht një goditje të James Abankwah (47’), portieri i Kosovës shkaktoi një ndërhyrje të gabuar në zonë një minutë më vonë, duke i dhuruar Irlandës penalltinë e dytë.

Përgjegjësinë e mori sërish Troy Parrott, i cili realizoi në minutën e 50-të për 2-0.

Foda provoi të freskonte skuadrën me inkuadrimin e Baton Zabërgjës, Ron Raçit (59’) dhe më vonë Dion Kacurit (76’), por vendasit vulosën fitoren në minutën e 75-të, kur Jack Moylan shënoi me kokë nga afërsia pas asistimit të Liam Kitching për 3-0.

Në minutën e 84-të te Irlanda u aktivizua edhe futbollisti me prejardhje shqiptare, Rocco Vata, ndërsa deri në vërshëllimën e fundit rezultati mbeti i pandryshuar, duke ia shkaktuar Kosovës një humbje të rëndë në Dublin. /