Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Rroba firmato të njollosura me gjak…!

Rroba firmato të njollosura me gjak…!

Realiteti brutal i industrisë tekstile në Indi: çdo ditë aksidente dhe humbje gjymtyrësh

Në qytetin industrial të Panipat-it, në veri të Indisë, çdo ditë përpunohen mijëra tonë veshje të përdorura, të mbledhura nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Evropa.

Rrobat që për konsumatorët perëndimorë janë kthyer në mbetje, këtu copëtohen, shndërrohen në fibra dhe më pas në fije tekstili, për t’u ripërdorur në prodhimin e artikujve që shiten në tregjet ndërkombëtare.

Por pas këtij biznesi fitimprurës fshihet një realitet i përgjakshëm: makineri të rrezikshme, mungesë masash mbrojtëse dhe punëtorë që humbasin duart, këmbët, madje edhe jetën.

Suraj Kumar ishte vetëm 19 vjeç kur mbërriti në Panipat, pasi ishte larguar nga shteti i Bengalit Perëndimor për të gjetur punë në fabrikat e qytetit.

Ashtu si shumë të rinj të tjerë, ai shpresonte të fitonte para për t’ua dërguar prindërve. Për tre muaj, detyra e tij ishte të ushqente makineritë grirëse me rroba të hedhura.

Por në fund të gushtit, një qark i shkurtër elektrik shkaktoi një aksident të tmerrshëm. Suraj përfundoi brenda mekanizmit të makinës, e cila ia shtypi të dyja duart.

“Do të kisha dashur të vdisja, në vend që të humbisja të dy krahët”, rrëfen ai. Dikur shpresonte të ndihmonte financiarisht familjen; sot ka frikë se është kthyer në një barrë për prindërit e tij.

Një makineri gjigante, pa siguri

Panipat është një nga qendrat më të mëdha të riciklimit të tekstileve në botë. Sipas vlerësimeve, këtu përpunohen çdo vit mbi një milion tonë veshje të përdorura.

Rreth 20.000 fabrika punësojnë afro 300.000 njerëz dhe prodhojnë artikuj që përfundojnë edhe në zinxhirët e furnizimit të markave të njohura, si H&M Home, Ikea, Primark, Tesco dhe Walmart.

Por industria e modës së shpejtë, e cila nxit blerjen e vazhdueshme të veshjeve që përdoren për periudha gjithnjë e më të shkurtra, ka një kosto të rëndë njerëzore.

Ramesh Chaudhari, aktivist mjedisor dhe ish-punonjës në marrëdhëniet e punës në Panipat, ka ndjekur prej pesë vitesh aksidentet në fabrika.

Sipas vlerësimeve të tij, të paktën një punëtor humbet çdo ditë një gjymtyrë, ndërsa në ditë të caktuara numri mund të arrijë deri në pesë.

“Çdo ditë përballemi me raste punëtorësh të plagosur. Disa humbasin një krah ose një këmbë, të tjerë edhe jetën”, thotë ai.

Shifrat janë të vështira për t’u verifikuar, pasi shumë aksidente nuk raportohen. Një vëzhgim i gazetës The Guardian në 11 spitale private dhe dy publike të qytetit, mes 17 dhe 24 gushtit, evidentoi gjashtë raste të rënda dëmtimesh: dy punëtorë humbën nga një krah, njëri të dy krahët, një tjetër dorën, njëri këmbën dhe një punëtor gishtat.

Shkaku është shpesh i njëjtë: makineri pa mekanizma të përshtatshëm sigurie. Edhe ndërprerja e energjisë elektrike nuk garanton ndalimin e menjëhershëm të pajisjeve rrotulluese. Sekondat e nevojshme për t’u ndalur mund të mjaftojnë për të shkaktuar dëme të pakthyeshme.

Gazetarët e The Guardian nuk panë asnjë punëtor me pajisje mbrojtëse gjatë vizitave në disa fabrika. Asnjë nga punëtorët e intervistuar nuk tha se kishte marrë trajnim për sigurinë në punë.

Kur humbet gjymtyrën, humbet edhe jetesën

Ligji indian i vitit 1948 për fabrikat i detyron punëdhënësit të garantojnë sigurinë e punonjësve dhe të raportojnë aksidentet e rënda.

Por zbatimi i tij mbetet problematik. Kontrollet e porositësve ndërkombëtarë përqendrohen kryesisht te cilësia e produkteve, ndërsa inspektimet shtetërore dobësohen nga fakti se fabrikat njoftohen paraprakisht për mbërritjen e inspektorëve.

Për më tepër, mbi 90 për qind e punëtorëve në Panipat janë të punësuar në mënyrë informale. Kjo do të thotë se shumica nuk kanë kontrata, sigurime shoqërore apo garanci për kompensim dhe rehabilitim në rast aksidenti.

Ramashankar Singh, rreth të pesëdhjetave, punoi për 18 vjet në fabrikat e qytetit. Vitin e kaluar, një kushinetë e nxehtë i ra mbi këmbë. Plaga u infektua dhe mjekët u detyruan t’ia amputonin këmbën mbi gju.

Pronari i fabrikës i premtoi një punë tjetër, ndoshta si kuzhinier apo roje, por premtimi nuk u mbajt. Sot ai përdor një protezë të siguruar nga një organizatë humanitare dhe kalon pjesën më të madhe të ditës në shtrat.

Edhe Indrapal Singh, i cili humbi krahun në vitin 2017, vazhdon të kërkojë drejtësi. Makineria që përdorej për krehjen e fibrave tekstile ia kishte dëmtuar rëndë krahun, ndërsa infeksioni çoi në amputim.

Pronari refuzoi të paguante shpenzimet spitalore. Pas gjashtë vitesh përpjekjesh ligjore, ai thotë se nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim.

“Kam humbur krahun, kam luftuar për gjashtë vjet dhe në fund mora vetëm një pension shtetëror prej 5.700 rupish, rreth 54 euro. Pronari nuk pësoi asnjë pasojë dhe fabrika vazhdon të punojë si më parë”, tregon ai.

Sipas një drejtuesi policie në Panipat, më pak se një për qind e aksidenteve në punë përfundojnë në regjistrat zyrtarë. Shumica zgjidhen privatisht, me pagesa të njëhershme për shpenzimet mjekësore, ndërsa punëtorët lihen të përballen vetë me pasojat afatgjata.

Familja e Suraj Kumarit, i cili humbi të dyja duart, nuk e di ende nëse do të bëjë kallëzim. Nëna e tij është mirënjohëse që pronari i fabrikës po paguan trajtimin e të birit.

“Ai është si Zot për ne!”, thotë ajo. Suraj, ndërkaq, përpiqet të pajtohet me një të ardhme që nuk e kishte imagjinuar kurrë. Kishte ëndërruar të punonte dy vjet, të kursente para dhe të blinte një motor.

Tani duhet të mësojë fillimisht si të jetojë pa duar. Dhe ndërsa markat ndërkombëtare reklamojnë koleksionet e tyre të reja dhe konsumatorët blejnë gjithnjë e më shumë, në fabrikat e Panipat-it dikush tjetër paguan çmimin e vërtetë të modës së lirë. /tesheshi