Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kovaçevski nga Sofja: Edhe një herë dënojmë agresionin ushtarak të Rusisë ndaj...

Kovaçevski nga Sofja: Edhe një herë dënojmë agresionin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut po merr pjesë në takimin e krerëve të qeverive të vendeve anëtare të NATO-s të Evropës Juglindore, që po mbahet sot në kryeqytetin bullgar Sofje

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se dënojnë edhe një herë agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se kryeministri Kovaçevski po merr pjesë në takimin e krerëve të qeverive të vendeve anëtare të NATO-s të Evropës Juglindore, që po mbahet sot në kryeqytetin bullgar Sofje.

Përpos Kovaçevskit, në takim marin pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç; kryeministri i Rumanisë, Nicolae Ciuca; si dhe kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov, si nikoqir i takimit. Liderët mbajtën konferencë për media pas takimit.

Kryeministri bullgar Petkov informoi për konkluzionet e takimit, ndër të cilat veçoi marrëveshjen e kryeministrave për rëndësinë e këtyre koordinimeve edhe në nivel rajonal, duke u fokusuar në rreziqet e luftës në Ukrainë, krizën në furnizimin me energji dhe me produktet elementare ushqimore, të cilat janë veçanërisht të rëndësishme si logjistikë e lëvizshmërisë së kapaciteteve ushtarake.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski, falënderoi për organizimin e këtij takimi të rëndësishëm, i cili vjen vetëm pak ditë pas Samitit të jashtëzakonshëm të NATO-s në Bruksel.

“Sot, si aleatë, dërguam një mesazh tjetër të fuqishëm të mbështetjes dhe solidaritetit me Ukrainën, por edhe për koordinim të ardhshëm dhe rritje të komunikimit ndërmjet këtyre katër vendeve në rajon”, tha Kovaçevski.

Ai theksoi se ky takim është kontributi i tyre rajonal për qëndrueshmëri dhe koordinim më të fortë në lidhje me rreziqet dhe kërcënimet e mundshme të pasojave të luftës, si dhe krizën e sigurisë dhe krizën humanitare në Ukrainë.

Duke theksuar se “kjo luftë në Ukrainë ka krijuar një realitet të ri në të gjitha sferat e jetës sonë”, Kovaçevski theksoi se “ne kemi dënuar edhe një herë agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës”.

Ai gjithashtu ritheksoi respektin për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.

Sipas tij, tani përgjegjësia është në përballjen me realitetin e ri strategjik në sigurinë evropiane dhe transatlantike. Ai u shpreh se zvarritja e procesit të anëtarësimit në BE për vendet e rajonit krijon dilema që mund të rezultojë në uljen e besimit të qytetarëve ndaj BE-së.

“Megjithatë, edhe me sfida të tilla, Maqedonia e Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar në ruajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe promovimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit tonë. Është detyra jonë të qëndrojmë të fokusuar në promovimin e këtyre vlerave dhe parimeve”, tha ai.

Kovaçevski gjithashtu u shpreh se gjatë presidencës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-së në vitin 2023, do të përpiqet të shfrytëzoj potencialin e nismave të tjera rajonale për ndërlidhje më të mirë, mirëkuptim dhe koordinim të ndërsjellë. /aa