KPK-ja kundërshton vlerën e koeficientit, kërkon që Ligji i pagave të dërgohet në Kushtetuese

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), është shprehur kundër vlerës së koeficientit që është miratuar në Qeveri të mërkurën.

Ata kanë thënë se komentet e tyre për Ligjin për paga nuk janë marrë parasysh.

“KPK-ja në vazhdimësi ka marrë pjesë në grupet punuese gjatë procesit të hartimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, me ç’rast ka ofruar propozime dhe komente konkrete lidhur me këtë ligj, por të cilat nuk janë marrë parasysh nga organet përkatëse”, thuhet në reagimin e KPK-së.

Sipas tyre pagat e prokurorëve dhe të një pjese të stafit në sistemin prokurorial do të ulen.

“Rrjedhimisht, sot, me rastin e publikimit të vlerës së koeficientit nga ana e Qeverisë, faktikisht, vërtetohet hapur se janë ulur ndjeshëm pagat e prokurorëve të shtetit dhe pagat e një pjese të stafit administrativ në sistemin prokurorial të Kosovës”, thuhet në reagim.

KPK-ja ka kërkuar nga Avokati i Popullit që Ligjin për paga ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Më ketë rast, duke shprehur kundërshtimin tonë të fuqishëm lidhur me caktimin e koeficientit të pagave, kërkojmë edhe njëherë që të realizohet kërkesa e Këshillit Prokurorial drejtuar Avokatit të Popullit për referimin e Ligjit për pagat në sektorin publik në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. KPK -ja konstaton përfundimisht se me këtë rast është cenuar funksionalizimi i sistemit prokurorial, ngaqë pretendimet e ngritura me kohë janë të mbështetura në aktet, praktikat dhe standardet ndërkombëtare dhe, të cilat nuk mund dhe nuk duhet të cenojnë pavarësinë dhe funksionalizimin e asnjë pushteti”, thuhet në reagim.