Kremlini i shmanget komentimit të kërcënimit nga ‘Wagner’ për t’u tërhequr nga fusha e betejës në Ukrainë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i është shmangur komentimit të deklaratës së kreut të kompanisë private ushtarake ‘Wagner’, i cili kërcënonte se do të tërhiqet nga fusha e betejës në qytetin ukrainas Bakhmut, transmeton Anadolu.

“Ne e kemi parë atë në media, por nuk mund ta komentoj sepse ka të bëjë me rrjedhën e një operacioni special ushtarak”, u tha Peskov gazetarëve në një konferencë për media në Moskë.

Kreu i kompanisë private ushtarake ruse ‘Wagner’, Yevgeny Prigozhin, një video të publikuar në rrjetet sociale kërcënoi se do të tërheqë luftëtarët e tij nga qyteti ukrainas Bakhmut nëse Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk arrin t’u sigurojë atyre më shumë municion.

“Po i drejtohem zyrtarisht shefit të Shtabit të Përgjithshëm, ministrit të Mbrojtjes, komandantit suprem të përgjithshëm dhe popullit të Rusisë… më 10 maj 2023, ne do të duhet t’i dorëzojmë pozicionet tona në Bakhmut te njësitë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të tërheqim njësitë e ‘Wagner’-it”, tha Prigozhin, duke theksuar se luftëtarët e tij janë vrarë sepse nuk u janë dhënë municione.

Më tej, Peskov u pyet nëse presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë takimit të sotëm të Këshillit të Sigurisë Ruse planifikon të diskutojë sulmin e fundit me dronë ndaj Kremlinit. Ai tha se “në një mënyrë ose në një tjetër” kjo çështje do të jetë në rendin e ditës.

Siç theksoi zëdhënësi i Kremlinit, pavarësisht përfshirjes së SHBA-së në sulmin me dronë ndaj Kremlinit, Moska do të mbajë kontakte me Washingtonin për të “siguruar interesat e saj”.

Duke komentuar dekretin presidencial për vendosjen e përkohshme nën menaxhim të jashtëm të aseteve të dy kompanive të huaja, asaj gjermane ‘Uniper’ dhe asaj finlandeze ‘Fortum’, Peskov tha se kjo është bërë në përgjigje të konfiskimit të aseteve ruse jashtë vendit.

Ai gjithashtu njoftoi se presidenti i Kirgistanit, Sadyr Zhaparov, do të vizitojë Moskën më 8-9 maj, por nuk e konfirmoi vizitën e kryeministrit armen, Nikol Pashinyan. Ai tha se planet e vizitës së tij janë duke u diskutuar, por “nuk ka marrëveshje përfundimtare”.

Dje, kryeministri armen në një fjalim në Qendrën e Pragës për Marrëdhëniet Transatlantike tha se ai do të vizitojë kryeqytetin rus javën e ardhshme.