Kreu i OKB-së u bën thirrje libianëve të shmangin dhunën dhe të ruajnë stabilitetin

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u ka bërë thirrje libianëve që të shmangin dhunën dhe të ruajnë stabilitetin në Libi, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Sekretari i Përgjithshëm po ndjek me shqetësim demonstratat që u mbajtën në disa qytete në Libi, duke përfshirë qytetet Tripoli, Tobruk dhe Bengazi”, tha zëdhënësi i kreut të OKB-së, Stephane Dujarric.

Dujarric tha se kreu i OKB-së u bëri thirrje protestuesve “të shmangin aktet e dhunës dhe u bëri thirrje forcave të sigurisë të kenë përmbajtje maksimale”.

Sipas deklaratës, Guterres u kërkoi gjithashtu palëve libiane që “të bashkohen për të tejkaluar ngërçin e vazhdueshëm politik”, i cili po “thellon negativisht ndarjen” dhe po ndikon në ekonominë e vendit.

Të premten, protestuesit sulmuan ambientet e parlamentit me bazë në Tobruk dhe i vunë flakën, ndërsa protesta janë mbajtur në disa qytete libiane ku kërkohej shfuqizimi i organeve legjislative dhe ekzekutive dhe mbajtje e zgjedhjeve sa më shpejt të jetë e mundur.

Libia është rrënuar nga trazirat dhe ndarjet që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011.

Bisedimet e sponsorizuara nga OKB-ja ndërmjet rivalëve libianë për të rënë dakord mbi një kornizë kushtetuese për mbajtjen e zgjedhjeve të shumëpritura janë bllokuar.

Libianët ende presin që zgjedhjet të zhvillohen me shpresën se votimi do të kontribuojë në përfundimin e konfliktit të armatosur shumëvjeçar në vendin e pasur me naftë.