Kryetari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq, u takua në Washington me Zëvendëssekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Christopher Landau. Sipas një njoftimi nga kabineti i tij, Landau ka shprehur pakënaqësi për veprimet e Milorad Dodikut, ish-kreut të entitetit serb të BeH-së, Republika Sërpska, transmeton Anadolu.
Gjatë takimit është diskutuar situata aktuale politike në Bosnjë e Hercegovinë, përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik dhe çështje të sigurisë energjetike, thuhet në njoftimin e Presidencës së BeH-së.
“Landau theksoi pakënaqësinë për veprimet e Milorad Dodikut, duke theksuar se administrata amerikane nuk i mbështet ato. U vlerësua se këto hapa dëmtojnë stabilitetin politik dhe rrezikojnë planet dhe projektet ekonomike për të cilat pala amerikane ka shfaqur interes dhe gatishmëri për bashkëpunim”, thuhet në njoftim.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar marrëveshjes së entitetit Republika Sërpska me një firmë kanadeze lobimi, përfshirë një pikë që kërkon mbështetje për lobimin në favor të pavarësisë së RS-së. Është theksuar se kjo qasje minon drejtpërdrejt Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, si dhe paqen dhe stabilitetin e Bosnjë dhe Hercegovinës.
Komshiq e ka informuar Landaun se Ministri i Punëve të Jashtme i BeH-së i ka dërguar një letër Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke paralajmëruar për pasojat e dispozitave të kontestuara që lidhen me synimin përfundimtar të Dodikut – pavarësinë e RS-së.
Komshiq gjithashtu i ka komentuar deklaratat e fundit të Dodikut, duke i cilësuar ato si shoviniste dhe islamofobike.
Palët kanë rënë dakord se stabiliteti, zhvillimi ekonomik dhe realizimi i projekteve infrastrukturore janë çelësi për progresin afatgjatë të Bosnjë dhe Hercegovinës, dhe se prosperiteti ekonomik kontribuon në krijimin e një ambienti pozitiv politik dhe shoqëror.
Në këtë kontekst, është konfirmuar angazhimi i qartë i Shteteve të Bashkuara për vazhdimin e mbështetjes së fuqishme ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës.
Komshiq ka shprehur mbështetje të fuqishme për projektin e Interkoneksionit Jugor, duke theksuar rëndësinë e marrëveshjes mes Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Kroacisë dhe nevojën për realizimin urgjent të këtij projekti në interes të sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Sipas njoftimit, është konkluduar se vazhdimi i bashkëpunimit në projekte që stimulojnë përparimin ekonomik përbën një bazë të rëndësishme për stabilitetin dhe prosperitetin e Bosnjë dhe Hercegovinës.




