Pjesa më e madhe e pronarëve të maceve kanë frikë mos kafsha e tyre sjell në shtëpi minj ose zogj. Por pronarët e një maceje në Auckland në Zelandën e Re, kanë një ‘kriminel’ të vërtetë me gëzof.
‘Krimet’ e tij janë vjedhja e rrobave nga telat dhe dhomat e gjumit në lagjen ku ai jeton, në Mairangi Bay që e kanë kthyer Leon në një personazh të famshëmm me një pseudonim të ri. Tani ai njihet si Leonardo da Pinchy.
Madje, ai ka shije të hollë. Vjedhjet e tij janë të brendshme mëndafshi, çorape të trasha pune, madje edhe me kapëse ndër to dhe një pulovër kashmiri që kushton 181 dollarë.
“Vajza ime ishte në shtëpi, e sëmurë kur më telefonoi ndërsa isha në punë dhe më tha ‘është keq, kjo është gjëja më e keqe që ai ka sjellë”, thotë pronarja, Helen North për AFP. “Sepse ishte e bukur. Thashë ‘a mund ta mbaj? Por s’mundesha.”

North shkroi në një grup WhatsApp-i për të kthyer sendet e vjedhura nga Leo. “A janë të mbathurat e tua?”, shkruante mesazhi i saj.
Stoku i sendeve vetëm shtohej: çorape, të brendshme, gjarpër pelushi. Njëherë, Leo u kthye me nëntë sende, nga veshjet e bebeve te të burrave.
Pronarja nisi kërkimin për ‘viktimat’ e Leos duke postuar foto të sendeve në një faqe lokale Facebook-u, bashkë me një kërkesë faljeje dhe adresën.
North ka provuar shumë metoda që t’i largojë fiksimin me veshjet maces së saj duke provuar që ta lërë brenda ose duke lënë rroba vërdallë shtëpisë. Deri më tani s’ia ka dalë mbanë.
Jeta prej ‘banditi’ e Leos nisi një vit më parë kur ai nisi të dilte jashtë. Familja shpreson që kjo të jetë thjesht një fazë. Por për momentin, rrugët e Mairangi Bay janë në ‘rrezik’ nga Leonardo da Pinchy.








