Kriteret për vlerësimin e një feje

Halil Avdulli

Nga pikëpamja pragmatike ekzistojnë tri kritere që duhet të përdorim për të gjykuar ndonjë fe, ose për të bërë krahasimin në mes feve:

-Ndriçimi i zemrave
-Koherenca logjike, dhe
-Udhëzimi dhe frymëzimi i sjelljes

Ndriçimi i zemrave

Pra, roli i një feje dhe aftësia e saj për të ndriçuar zemrën e njeriut, për ta mbushur atë me dritë, qetësi, lumturi, vetëbesim, t’ia shtojë jetës kuptimin dhe bukurinë, dhe në fund aftësia për t’i dhënë qëllim ekzistencës.

Koherenca logjike

Deri në çfarë mase të kompaktësisë logjike janë idetë, që paraqiten nga kjo fe? A ka ndonjë kontradiktë? Sa është i fortë argumenti i saj? E kështu me radhë.

Udhëzimi dhe frymëzimi i sjelljes.

Çka është ajo që ofron kjo fe në drejtim të udhëzimit dhe ndikimit në jetën e njeriut? A do të ndryshojë jeta e një njeriu që lëviz – nga një fe tjetër ose ateizëm – në këtë fe, në kuptimin e një jetë më të mirë? A po bëhet më i kënaqur me veten e tij? Sa është në përputhje me pjesën tjetër të njerëzimit dhe me universin në përgjithësi? A është më serioz, më i sinqertë dhe më i vërtetë?

Sigurisht, këto tri standarde janë të ngjyrosura nga filozofia e “pragmatizmit”, por në masë të madhe janë standarde të arsyeshme.

Megjithatë, ajo që duhet të kemi parasysh në këtë kontekst është se në konceptin e fesë në përgjithësi, ekziston ndryshimi midis të vërtetës racionale dhe asaj pragmatike. Siç shprehet Malik bin Nebi: “Ekziston një ndryshim midis vërtetësisë së idesë dhe vlefshmërisë së saj”. Shumica e feve kanë një ndikim pozitiv në jetën e njerëzve, se ato plotësojnë një lloj nevoje njerëzore, por kjo nuk do të thotë se ato janë të gjitha të vërteta, sepse funksioni i idesë është i ndryshëm nga saktësia dhe vërtetësia e saj.

Ideja mund të jetë logjikisht e saktë, por nuk mund t’i ndihmojë shumë njeriut, sepse mund të jetë vendosur në një kontekst tjetër që ajo nuk e duron. Në anën tjetër, ideja mund të jetë e gabuar, por ofron ndihmesë sepse është përdorur mirë. Ne duhet të bëjmë dallimin midis të vërtetës logjike dhe të vërtetës pragmatike, ose midis vërtetësisë së një feje dhe vlefshmërisë së saj. Pra mund të kemi fe të vërtetë që nuk ka sjellë shumë rezultat për arsye të përdorimit jo të duhur të saj, siç mund të kemi fe të trilluar që në rrethana të caktuara është përdorur mirë dhe ka ofruar shërbim të mirë.

Feja e vërtetë, është ajo fe që bashkonte vërtetësinë dhe vlefshmërinë. Ajo është një burim i lumturisë psikologjike, por është gjithashtu edhe fakt i filozofisë, pasi shpreh realitetin e jetës dhe realitetin e ekzistencës.

Në fe ka gjithmonë dy anë, ajo mendore dhe emocionale, që në një farë forme ekziston një konflikt i vazhdueshëm midis mendjes dhe emocionit. Prandaj, ka një mospajtim midis studiuesve të feve, sa i përket çështjes: “A është feja fillimisht një bindje mendore e mbështetur emocionalisht? Apo feja është një ndjenjë emocionale që justifikohet mendërisht?” Ajo që përputhet me vizionin islam është se “feja së pari është një bindje mendore, e cila ka nevojë për pasion të vazhdueshëm emocional.”

Sidoqoftë, ka filozofë myslimanë, siç është Muhamed Ikbal, të cilët besojnë se thelbi i Islamit është dashuria e zjarrtë e zemrës dhe jo vetëm njohuri e ftohtë mendore, edhe nëse njohuria është prijatar. Sikur ai dëshironte të thoshte, “ne fillojmë me Islamin, pastaj besimin, pastaj ihsanin. Ihsani( të adhurosh Allahun sikur e sheh, anipse t’i nuk e sheh, Ai ty të sheh) është një lloj rrjedhe emocionale që tejkalon bindjen mendore plotësisht.
Ikbal e shprehu këtë në poezinë e tij, duke thënë:

“Ilaç i syve të zemrës, ky ilaç shërues,
Me shpres do të zbuloj, perden e shikimit tuaj.
Mendja nuk është gjë tjetër veçse fushbetejë e dijeve,
Luftë e dyshimeve dhe gurëzim i vështrimeve.
Rrugëtimi juaj është më i madh se sa një pushim,
kuptimi i parë i tij është shijoje këtë udhëtim.
Sekreti i perlave është shkëlqimi i përjetshëm,
përndryshe çdo gjë bëhet materie prej guri.
Cili është roli i gjakut në vena,
nëse zjarri i mendjes është shuar?
Atëherë tregoju lulëve në shtratin e tyre,
se unë jam flladi i hershëm i tyre.”

Nga: Hoxhë Halil Avdulli