Kriza e lirës, Banka Qendrore turke ndërmerr masa

Banka Qendrore turke njoftoi se është e gatshme të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar stabilitet financiar, pas kolapsit të lirës. Ajo ka premtuar t’u sigurojë bankave të gjithë likuiditetin për të cilin kanë nevojë.

Edhe ministri turk i Financave tha se, qeveria ka përgatitur “planin e veprimit” për të ulur shqetësimet në tregje, teksa monedha kombëtare vazhdon të zhvlerësohet, edhe si pasojë e sanksioneve amerikane.

Një ditë më parë, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan përsëriti thirrjet ndaj turqve, që të shesin dollarët dhe eurot në mbështetje të lirës, vlera e së cilës ka rënë dukshëm, duke shtuar shqetësimet për ekonominë dhe përkeqësim të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

Lira ka prekur nivelin rekord të kërmbimit prej 6.97 ndaj dollarit më 13 gusht, që nënkupton humbje të vlerës së kësaj valute këtë vit prej 46 për qind.