Kriza energjetike po e varfëron gjithë Europën

Daut Dauti

Në Britani të Madhe çmimet e energjisë dhe ushqimit kanë filluar të rriten edhe më herët, si rezultat i krizës së pandemisë Covid-19. Madje, burimin e krizës duhet kërkuar edhe më herët. Fjala është për krizën ekonomike, që filloi ta shkaktonte Brexit-i, që në vendet e tjera europiane nuk u paraqit në këtë periudhë të hershme. Sidoqoftë, kriza energjetike tashti i ka thyer barrierat dhe ka filluar të hyjë brenda.

Shkruan: Daut DAUTI, Londër

“Jemi në gjendje të luftës” – thonë shumë ekonomistë britanikë kur e shpjegojnë gjendjen ekzistuese në Britani të Madhe. Në fakt, as në gjendje të luftës nuk ka rritje kaq të lartë të çmimit të energjisë, ushqimit dhe komoditeteve bazike. Asnjëherë më parë energjia nuk ka qenë temë më e rëndësishme e ekonomisë dhe nuk ka depërtuar kaq thellë në politikë. Tanimë ky fakt është shndërruar në brengë, që ka shkaktuar alarm në tërë Europën dhe më gjerë. Por, në Britani të Madhe kriza ka një histori tjetër të origjinës dhe domethënies. Natyrisht që lufta në Ukrainë, e shkaktuar nga agresioni rus, është burimi kryesor i kësaj krize. Britania e Madhe pothuaj se nuk varet aspak nga importimi i gazit apo naftës ruse, por gjendja e krijuar në rrjetin ndërkombëtar të shpërndarjes dhe tregut të energjisë është aq e varur me faktorët e njëjtë, saqë as ky vend nuk do t’i shpëtojë krizës.

Në Britani të Madhe çmimet e energjisë dhe ushqimit kanë filluar të rriten edhe më herët, si rezultat i krizës së pandemisë Covid-19. Madje, burimin e krizës duhet kërkuar edhe më herët. Fjala është për krizën ekonomike, që filloi ta shkaktonte Brexit-i, që në vendet e tjera europiane nuk u paraqit në këtë periudhë të hershme.

Sidoqoftë, kriza energjetike tashti i ka thyer barrierat dhe ka filluar të hyjë brenda.. Ngritja marramendëse e çmimit të energjisë ka shkaktuar situatë të jashtëzakonshme, duke e vënë në nivel të varfërisë një shtresë të gjerë të popullatës, e cila nuk është më në gjendje ta përballojë koston e jetës. Gjatë vitit të kaluar është llogaritur se në këtë vend numri i njerëzve që kanë pasur probleme serioze me pagesat e energjisë, ka qenë diku rreth 3. 2 milionë. Dimri i këtij viti (2022/2023), që tanimë është duke trokitur në derë dhe është duke u quajtur “Dimri i Madh”, do t’i ulë në pozitë të varfërisë, duke e dyfishuar numrin në 6.7 milionë njerëz. Kjo është arsyeja që Shërbimi Nacional Shëndetësor Britanik ka paralajmëruar krizë humanitare për shtresën e varfër dhe pensionistët. Numri i atyre që do të ballafaqohen me acarin, sëmundjet dhe vdekjen, është alarmues.

Masat për ballafaqimin me krizën e “Dimrit të Madh” janë planifikuar që në ditët e para të verës që shkoi nga qeveria e Boris Johnson-it. Kjo qeveri ndau një shumë të konsiderueshme të parave për çdo familje si ndihmë për pagesën e faturave të energjisë. Edhe pse kjo shifër e ndihmës është rritur sërish, duket se nuk do të kryejë punë.

Mund të duket i çuditshëm fakti që në Britani të Madhe, si edhe në vendet tjera europiane, kjo krizë nuk është duke shkaktuar trazira ose protesta masive popullore. Qetësia vjen nga fakti se njerëzit e kanë të qartë se shkaktari i krizës vjen nga jashtë, gjegjësisht nga agresioni i Rusisë së Putinit. Në këtë aspekt është krijuar një vetëdijesim i gjerë dhe mobilizues europian i formës dhe kuptimit antirus. Rreziku rus, i manifestuar me agresionin në Ukrainë tashti, pos krizës ekonomike, ka krijuar edhe frikën e përdorimit të armatimit nuklear. Pra, frika nga lufta shkatërruese është duke e mbajtur popullatën brenda kufijve të qetësisë qytetare.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se situata politike në Britani është e qetë. Në këtë vend, që shquhet për stabilitet politik dhe fuqi ekonomike, brenda pak muajve dhe brenda të njëjtës parti (konservative) në qeverisje, tanimë, me dorëheqjen e Liz Truss-it, janë ndërruar tre kryeministra e disa ministra të Financave. Madje, gjendja është aq e brishtë, saqë mund të ndërrohet edhe kryeministri i katërt gjatë vitit të ardhshëm. Në shikim të parë, kriza e tashme e qeverisë së Liz Truss-it ka të bëjë me buxhetin. Por, problemi i buxhetit ka të bëjë me ekonominë, e cila është rrezikuar si pasojë e luftës në Ukrainë, që ka sjellë krizën energjetike. Pra, gjërat kanë shkuar aq larg, saqë kjo krizë është duke ndikuar në stabilitetin politik dhe ekonomik të Britanisë së Madhe. Britania është aktorja kryesore europiane në këtë krizë dhe, për këtë arsye, edhe është duke e paguar çmimin.

Sado që do të zgjasë kriza politike dhe ekonomike, dhe çfarëdo qeverie britanike që vjen në pushtet, qëndrimi ekzistues politik i këtij vendi ndaj Ukrainës dhe Rusisë nuk do të ndryshojë. Madje, edhe nëse konflikti thellohet duke mos lënë shteg për rrugëdalje, kjo gjë do ta ofrojë Britaninë më shumë me Ukrainën dhe në të njëjtën kohë do të shënohet distancim më i madh me Rusinë.

Për fat të keq, brenda Bashkimit Europian nuk vërehet ndonjë qëndrim i paluhatshëm sikur ky i britanikëve për krizën dhe pasojat e luftës në Ukrainë. Franca, Gjermania dhe shtetet e tjera anëtare shpesh dalin me qëndrime, veprime e retorikë që nuk janë të përbashkëta, sikur në relacion me krizën energjetike, ashtu edhe me situatën në Ukrainë. Madje, kriza është duke dhënë shenja se brenda këtij unioni janë duke buruar kontradikta, të cilat e pamundësojnë krijimin e qëndrimit të përbashkët. Nëse një gjë e tillë vazhdon, në të cilën shpreson Putini, Europa mund ta humbë kredibilitetin e, madje, edhe kuptimin e ekzistencës së saj si bashkësi e organizuar e shteteve. Ky është një fakt që i gëzon edhe “brexiterët”, të cilët ende mundohen të gjejnë shkaqe për ta arsyetuar largimin nga ky union.

Kriza energjetike ka ndikuar që shtetet anëtare të kësaj bashkësie të marrin masa vetanake dhe pa pëlqimin e Brukselit. Kjo gjë shkakton zbehje të solidaritetit që është i nevojshëm në këto raste. Rasti i planit të qeverisë gjermane, e cila ka njoftuar se do t’i ndajë 200 miliardë euro për t’i evituar pasojat e krizës energjetike në ekonominë e saj, është shembull që flet kundër solidaritetit dhe politikës së përbashkët europiane. Shtetet e tjera anëtare e konsiderojnë këtë hap të Berlinit si manovër që do ta dëmtojë besimin mes shteteve dhe që do t’i komplikojë orvatjet për politikë të përbashkët të daljes nga kriza.

Me inflacionin që pritet të rritet edhe më shumë gjatë vitit të ardhshëm dhe me ngadalësimin e zhvillimit ekonomik, gjendja në Europë është duke u krahasuar me krizën e naftës së viteve të ‘70-ta të shekullit të kaluar. Një krizë e këtillë do ta orientojë botën në deglobalizim, kurse jehona e nacionalizmave të viteve të ‘30-ta mund të ngjallet sërish. Si rezultat, kriza energjetike është duke e rrezikuar konceptin e unitetit në mënyrë tejet serioze. Në këto kushte nuk ekziston mundësia e përpilimit të ndonjë politike të re të përbashkët ndaj rrezikut rus. Prandaj, qëndrimi europian ndaj Rusisë dhe luftës në Ukrainë nuk pritet të marrë ndonjë formë të re. Në këtë situatë disa shtete mund të zmbrapsen nga qëndrimi i mëparshëm, por nuk ka shenja se Britania e Madhe dhe SHBA-ja mund të bëjnë ndonjë ndryshim ndaj kësaj çështjeje. Mbetet të besohet se Rusia, duke u dëmtuar dita ditës në Ukrainë, do të ofrohet me këto dy vende kryesore në përpjekje për të gjetur ndonjë “exit strategy”. Por, kjo gjë nuk do të ndodhë nëse Putinit nuk i rrezikohet pushteti në Moskë nga qytetarët rusë. Lufta e tij në Ukrainë është duke u plasuar edhe në shtëpitë e secilit qytetar europian, të cilin është duke e varfëruar me anë të krizës energjetike. /shenja