Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kroacia vendos mësimin e detyrueshëm të gjuhës për punëtorët e huaj

Kroacia vendos mësimin e detyrueshëm të gjuhës për punëtorët e huaj

Qeveria e Kroacisë ka dërguar të enjten në procedurë parlamentare ndryshimet në Ligjin për të Huajt, me të cilat vendoset mësimi i detyrueshëm dhe dhënia e provimit të gjuhës kroate për punëtorët e huaj, si kusht për zgjatjen e lejes së qëndrimit dhe punës.

Ndryshimet ligjore, me të cilat legjislacioni kroat harmonizohet me rregulloret e Bashkimit Evropian, parashikojnë që punëtorët e huaj, pas një viti qëndrimi, duhet të kalojnë provimin e njohjes së gjuhës në nivelin A1.1, në mënyrë që të mund ta zgjasin lejeqëndrimin e tyre.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme, Davor Bozhinoviq, deklaroi se me këto ndryshime synohet reagim më i shpejtë ndaj nevojave të tregut të punës, ulja e barrës administrative dhe përmirësimi i mbrojtjes së punëtorëve të huaj, duke i ruajtur njëkohësisht standardet e sigurisë.

Ligji u mundëson punëtorëve të huaj ndryshimin më të lehtë të punëdhënësit, përfshirë mundësinë e ndryshimit edhe pas gjashtë muajsh pune pa lëshimin e një lejeje të re, si dhe ndryshimin e profesionit te i njëjti punëdhënës, me test të tregut të punës, raportuan të enjten mediat kroate.

Afatet për shqyrtimin e kërkesave për leje janë zgjatur në 90 ditë, ndërsa punëtorëve të huaj u lejohet një periudhë më e gjatë papunësie gjatë vlefshmërisë së lejes. Lejet sezonale, të cilat deri më tani lëshoheshin për një vit, mund të vlejnë deri në tre vjet për të njëjtin punëtor dhe punëdhënës.

Ndryshimet gjithashtu ashpërsojnë kushtet për punëdhënësit, përfshirë ndalimin e lëshimit të lejeve të reja për ata që ndodhen në të ashtuquajturën “listë të zezë”, si dhe rritjen e raportit të punëtorëve vendas të punësuar, të nevojshëm për punësimin e shtetasve të huaj.

Sipas të dhënave të ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2025 janë lëshuar 136.194 leje qëndrimi dhe pune, më pak krahasuar me 158.837 leje në të njëjtën periudhë të një viti më parë.